
Raporti: Egzona Shala
Diskutime të gjata janë zhvilluar në Kuvendin e Kosovës për shkak të situatës së krijuar nga greva në arsim. Deputetë të partive opozitare kanë kërkuar shkarkimin e ministrit të Financave, Hekuran Murati për shkak të insistimit të tij për mosekzekutimin e pagave të mësimdhënësve grevistë. E kundër qëndrimit të tij, dolën edhe deputetë të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.
Deputetë të partive opozitare kanë kërkuar dorëheqjen e ministrit të Financave, Hekuran Murati, derisa e kanë akuzuar të njëjtin për shkeljen e ligjit me insistimin për mosekzekutimin e pagave të grevistëve.
Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë paraqitur edhe një rezolutë në Kuvendin e Kosovës, për mosekzekutimin e pagave të mësimdhënësve, me ç’rast kërkuan që të ndalet presioni ndaj sindikatave.
Mirëpo, ministri Murati akuzoi opozitën se ka qëndruar prapa grevave në arsim, derisa tha se vendimi i qeverisë është në përputhje me dispozitat ligjore dhe se ligji e qartëson se nuk mund të paguhet dikush pa punuar.
Nga PDK-ja kanë akuzuar qeverinë për ushtrim të diktatit mbi këdo që ka kërkesa për rritje të pagave.
Ndërkaq, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se partia e tij do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese në lidhje me vendimin e qeverisë.
Ekzekutimin e pagave, e kërkuan edhe deputetë të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.
Mirëpo, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se nuk mund ta lënë jashtë faktin se nxënësit kanë humbur 12 për qind të programit të vitit shkollor.
Ndërsa, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, duke lexuar nenin 13 të Ligjit për grevat, ka thënë se në mënyrë specifike mbrohet të drejtat e të punësuarave gjatë grevës.
Deputetë të opozitës kanë kërkuar nga ata të Lëvizjes Vetëvendosje që të ushtrojnë presion mbi qeverinë, derisa kanë thënë se shantazhi i qeverisë ndaj mësimdhënësve, nuk do të harrohet./Gazeta10