Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Disa deputetë sërish kundër Kodit Civil, Abbott: Mbështesim të drejtën për krijimin e familjes

Gazeta10
11 October 2022 - 20:02

Komisioni për të Drejtat e Njeriut, ka zhvilluar takim me ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott. Ai ka thënë se Mbretëria e Bashkuar e mbështet komunitetin LGBTI si dhe të drejtën për krijimin e familjes, çka ka kërkuar edhe mbështetjen e deputetëve për këtë komunitet. Ai ka përmendur edhe synimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Por, disa deputetë nga koalicioni qeverisës janë shprehur kundër Kodit Civil dhe martesës mes gjinisë së njëjtë.    

Raporti: Arbenita Ilazi, Kamera: KP.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë, Nicholas Abbott, ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që të mbështesin komunitetin LGBTI dhe të drejtën për krijimin e familjes.

Një kërkesë të tillë, ai e ka bërë para anëtarëve të Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, duke thënë se deputetët duhet të mendojnë për shoqërinë pavarësisht bindjeve të tyre personale.

Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Duda Balje, ka përsëritur qëndrimin e saj se është kundër Kodit Civil.

Edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Labinotë Demi Murtezi ka thënë se është kundër Kodit Civil për pjesën ku lejohet martesa ndërmjet gjinisë së njëjtë.

Por, ambasadori britanik ka thënë se deputetët nuk kanë pse ndryshojnë qëndrimet personale lidhur me këtë çështje, por duhet të veprojnë për shoqërinë në përgjithësi, duke përmendur edhe synimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Ndërsa, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi ka thënë se deputetët duhet të mbrojnë vlerat e secilit, pavarësisht bindjeve të tyre.

Në takimin me ambasadorin e Britanisë së Madhe, është diskutuar edhe për çështje që lidhen më të drejtat e njeriut, viktimat e dhunës, gupet e margjinalizuara dhe barazinë gjinore./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.