
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i ka publikuar raportet e shpenzimeve për tremujorin e fundit të partive politike.
Për tre muajt e fundit, Lëvizja Vetëvendosje për paga i ka shpenzuar 197 mijë e 723 euro, ndërsa për mallra dhe shërbime 68 mijë e 51 euro.
Për shërbime të telekomunikimit, Vetëvendosja në korrik i pagoi 1 mijë e 248 euro, në gusht 386 euro e në shtator 1 mijë e 32 euro, që në total i bien 2 mijë e 667 euro.
Për blerje të tjera të mallrave dhe shërbimeve, VV-ja në total për tre muajt e fundit i pagoi 5 mijë e 907 euro, ndërsa për karburante për vetura 2 mijë e 314 euro.
Shpenzime të mëdha pati edhe për pagesa të qirasë, ku për secilin muaj pagoi 16 mijë e 167 euro, apo në total 48 mijë e 501 euro.
Në total, Lëvizja Vetëvendosje për muajt korrik, gusht dhe shtator i shpenzoi 269 mijë e 544 euro.
Jo lehtë me shpenzime kaloi edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ku për 3 muajt e fundit i shpenzoi 212 mijë e 394 euro. Shpenzimet më të mëdha i pati për paga të punëtorëve, për të cilat i dha 122 mijë e 30 euro.
Shpenzime të majme pati edhe për mallra dhe shërbime, ku në korrik, gusht e shtator i shpenzoi 73 mijë e 653 euro, ndërsa për udhëtime jashtë vendit i dha 1 mijë e 985 euro.
Kurse, për shpenzime të shërbimeve, PDK-ja i dha 36 mijë e 606 euro në tremujorin e fundit, teksa për qira pagoi 13 mijë e 837 euro.
Në re muajt e fundit, PDK e bleu edhe një veturë në vlerë prej 10 mijë euro.
Më pak se VV-ja e PDK-ja në tre muajt e fundit shpenzoi Lidhja Demokratike e Kosovës, ku për periudhën korrik-shtator i dha 163 mijë e 644 euro.
Njëjtë si dy partitë e tjera, edhe LDK-ja shpenzimet më të mëdha për tre muajt e fundit i pati për paga, ku i dha 107 mijë e 50 euro, ndërsa për shpenzime për shërbime i dha 8 mijë e 500 euro.
Për blerje të mallrave dhe shërbimeve, LDK i dha 10 mijë e 695 euro, kurse për karburante për vetura i shpenzoi 5 mijë e 731 euro.
Në tre muajt e fundit, Lidhjes Demokratike, sipas KQZ-së, qiraja i kushtoi plot 20 mijë e 456 euro.
Ndërsa, më së paku shpenzime nga katër partitë e mëdha pati Aleanca, e cila në tre muajt e fundit i shpenzoi 62 mijë e 675 euro.
Për paga në tre muajt e fundit, Aleanca i dha 36 mijë e 188 euro, ndërsa për shërbime të telekomunikimit 2 mijë e 451 euro.
Për pagesa të obligimeve të fushatës, në korrik Aleanca i dha plot 16 mijë e 937 euro, kurse nga kategoria “shpenzime pa kategori”, kjo parti i ka deklaruar 22 mijë euro shpenzime./kp