
Ambasadorja e Izraelit, Tamar Ziv, e ftuar në emisionin “Gazeta” të Kanal10 mes tjerash foli edhe për konfliktin e zhvilluar në Gaza.
Sipas saj, Izraeli i është kundërpërgjigjur Hamasit, duke thënë se situata atje është e vështirë pasi po përfshihen edhe civilët palestinez.
“Mendoj se ashtu siç është koha edhe për Iranin, është koha që edhe në Gaza të përfundojë lufta, të kthehen pengjet dhe të sigurohemi që Hamas të mos sundojë në Gaza. Situata në Gaza është jashtëzakonisht e vështirë. Zemra dhe mendja më shkon tek populli i Gazës, i cili ka vuajtur jashtëzakonisht shumë nën regjimin e Hamasit, që detyroi Izraelin të luftojë kundër tij dhe shkaktoi shumë dëme dhe pasoja nga ajo që po ndodh në Rripin e Gazës”, deklaroi ajo.
Ziv tha se për të pasur hapa tjerë, duhet liruar 50 pengjët izraelite që po mbahen nga Hamasi, siç thotë ajo në trajtim të tmerrshëm.
“Së pari e mbi të gjitha, të lirohen 50 pengjet që ende mbahen prej tyre për 626 ditë. Këta njerëz janë trajtuar në mënyrë të tmerrshme, dhe asgjë nuk do të marrë fund deri sa Hamas të kthejë pengjet”, shtoi ajo.
Mes tjerash, ajo përmnendi edhe gratë, të moshuarit e fëmijët që sipas saj po shfrytëzohen nga vet Hamasi.
“Çdo civil që vritet, çdo fëmijë, çdo grua, çdo burrë, çdo i moshuar, është diçka e tmerrshme, qoftë nga ana jonë, apo nga ana tjetër. Siç e thashë, ne jemi një popull që duam paqen. Ne nuk kërkojmë të lëndojmë askënd. Por nga ana tjetër, kur je i kërcënuar nga kaq shumë fronte në të njëjtën kohë, fatkeqësisht, duhet të mbrohesh. Dhe nganjëherë kjo ka një çmim. Problemi është se është në interesin e Hamasit që njerëzit e tyre të vuajnë. Sa më i lartë të jetë numri i viktimave, aq më shumë përfiton propaganda e tyre. Shumë njerëz kanë vuajtur, shumë kanë vdekur, por Hamasi ka një përgjegjësi shumë, shumë të madhe për situatën në Rripin e Gazës. Hamasi ka mundur ta ndalte luftën shumë kohë më parë. Ka mundur t’i kthente pengjet shumë kohë më parë. Ka mundur të vendoste të dorëzonte armët dhe t’i mundësonte popullit të Gazës të rindërtonte, të rehabilitohej dhe të shërohej. Por zgjedhja e tyre ka qenë krejtësisht e kundërta. Ata vazhdojnë të luftojnë e të luftojnë pa pushim dhe nuk duan të dorëzojnë armët. Nuk duan ta ndalin vuajtjen e popullit të tyre. Dhe me të vërtetë, situata në Gaza është zemërthyese”, deklaroi ajo.
“Mund të shihni se nën secilin spital në Rripin e Gazës ata kanë krijuar selitë e tyre. Ata kanë ndërtuar një sistem të madh tunelesh nën spitalet, nën xhamitë, nën shkolla, në të gjitha vendet që supozohet të jenë humanitare, me shpresën se do të mbroheshin atje. Izraeli ka bërë shumë përpjekje të shpëtojë jetët e njerëzve të pafajshëm. Që në fillim, kemi njoftuar njerëzit që të zhvendosen nga një zonë në një tjetër, që të shkojnë në zona të sigurta, ku është grumbulluar një numër shumë i madh palestinezësh , një vend ku ka ushqim, ujë dhe strehim. Izraeli ka bërë përpjekje për të minimizuar ndikimin e kësaj lufte ndaj popullsisë civile, por në një vend shumë të vogël dhe të mbipopulluar si Rripi i Gazës, dhe me Hamasin që ka interes ta dëmtojë popullsinë, sepse kjo u sjell atyre një imazh më të mirë në opinionin publik ndërkombëtar dhe më shumë mbështetje, kjo ndonjëherë bëhet shumë e vështirë dhe fatkeqësisht civilët vuajnë”.
“Ne po luftojmë kundër një organizatë terroriste që fshihet brenda një popullsie civile dhe, fatkeqësisht, civilët po dëmtohen. Por Izraeli nuk është duke shënjestruar popullin palestinez. Izraeli nuk po përpiqet, larg qoftë, ta zhdukë popullin palestinez, përkundrazi. Por po, Hamas është një organizatë terroriste shumë cinike dhe shumë e rrezikshme, e cila është thellësisht e ngulitur brenda Rripit të Gazës”, shtoi tutje ajo.