
Një qytetar nga fshati Sllatinë, rruga Gjelbisha, ka dërguar video-dëshmi se banorët janë lënë 7 ditë pa ujë të pijshëm, për shkak të një prishjeje që sipas tij është shkaktuar nga vetë Komuna.
Në videon e siguruar shihet momenti kur qytetari ka tentuar të takohet me Kryetarin e Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizin, dhe me përfaqësues të Drejtorisë së Urbanizmit.
Megjithatë, edhe pse ishte ora 08:40 e mëngjesit, derët e komunës nuk janë hapur dhe qytetari nuk është pranuar në takim.
“Na ka lanë 7 ditë pa ujë. Shkuam në Komunë, as Kryetari, as Drejtoria nuk na pranojnë, nuk po na hapin derën. Kështu nuk mund të trajtohen qytetarët,” thotë qytetari në videon e tij. Banorët e Sllatinës kërkojnë zgjidhje urgjente, pasi mungesa e ujit të pijshëm ka bërë që familjet të përballen me vështirësi të mëdha në përditshmëri.