Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

AKK: Mungesa e ujit të pijes është përgjegjësi e Qeverisë dhe KRU-ve, jo e komunave

Gazeta10
27 Gusht 2025 - 10:28

Asociacioni i Komunave të Kosovës, ka shprehur shqetësim për mungesën e ujit të pijes nëpër komuna, duke thënë se kjo është përgjegjësi e Qeverisë dhe kompanive rajonale.

Kështu ka thënë kryetari i AKK-së, Sazan Ibrahimi.

Ai ka thënë se gjatë kësaj vere janë vërejtur shumë shqetësime të shprehura nga qytetarët te kryetarët e komunave për mungesën e ujit të pijes në disa zona të vendit.

“Është e padrejtë që komunat të fajësohen për mungesën e ujit të pijes, kurse përgjegjësia ligjore i takon kompanive rajonale dhe qeverisë. Komunat kanë bërë investime në rrjet, por pa investime qendrore në burime të reja dhe digë akumuluese nuk mund të ketë edhe përmirësim të situatës”, ka thënë Ibrahimi.

Ibrahimi tutje ka theksuar se të gjitha pagesat për ujin e pijes dhe shërbimet e kanalizimit mblidhen nga kompanitë rajonale të ujësjellësit, dhe jo nga komunat.

“Për këtë arsye, çdo mungesë e furnizimit apo problem në cilësinë e shërbimit është përgjegjësi ligjore dhe institucionale e KRU-ve dhe e qeverisë qendrore, jo e komunave”, shtoi Ibrahimi.

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës ka sqaruar edhe kompetencat që kanë komunat karshi kësaj çështje.

“Komunat e Kosovës, sipas ligjit, kanë përgjegjësi vetëm për ndërtimin e infrastrukturës së rrjetit të ujësjellësit. Pas përfundimit të investimeve, kjo infrastrukturë i kalon automatikisht në pronësi dhe menaxhim kompanive rajonale të ujësjellësit (KRU), të cilat janë nën mbikëqyrjen e Qeverisë së Kosovës”, u shpreh Ibrahimi.

Ibrahimi tha se është shqetësuese mungesa e investimeve strategjike në gjetjen e burimeve të reja të ujit të pijes.

“Është shqetësuese që nuk ka investime serioze në gjetjen e burimeve të reja të ujit të pijes dhe në ndërtimin e digave akumuluese. Pa projekte madhore në këtë drejtim, nuk do të mund të ketë edhe përmirësim të situatës”, tha Ibrahimi.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.