Kontaktoni

info@gazeta10.com

10 LIVE

7 vjet e gjashtë muaj burgim për vrasjen e Agonis Tetaj

Gazeta10
14 October 2022 - 22:13

Raporti: Afërdita Lukaj/Kanal10

Gjykata Themelore në Pejë, e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 7 vite e 6 muaj  burgim të akuzuarin Shaban Gogajn, për vrasjen e Agonis Tetaj, në shtator të vitit 2018 në Deçan. Gogaj është shpallur fajtor për vrasje nga pakujdesia dhe për armëmbajtje pa leje, shkruan Kanal10.

Pas më shumë se 4 vitesh nga vrasja e Agonis Tetajt, këtij procesi gjyqësor i erdhi fundi.

Për këtë vrasje që kishte ndodhur në vitin 2018, Shaban Gogaj është dënuar me 7 vjet e gjashtë muaj burgim.

Në shpalljen e aktgjykimit, Gjykata e Pejës e ka bërë rikualifikimin e veprës penale, nga “vrasje e rëndë”  në “vrasje nga pakujdesia”.

Gogaj është dënuar me 5 vjet burgim për vrasje nga pakujdesia dhe me 3 vite burgim për armëmbajtje pa leje, ku më pas ka shqiptuar dënim unik prej shtatë vjet e gjysmë.

Në dënim, Gogajt do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Para se të shpallej aktgjykimi, avokati i familjes së viktimës Tetaj, Berat Tmava kërkoi nga anëtarët e trupit gjykues vendim të drejtë e të pandikuar ndaj rastit.

Mirëpo, kryetarja e trupit gjykues Violeta Husaj – Rugova, në arsyetimin e saj ka thënë se prokuroria nuk ka ofruar prova të reja dhe se gjykata nuk mund të shkojë në dëm të të pandehurit.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, Shaban Gogaj  akuzohet se më 23 shtator 2018, rreth orës 11:04, në Deçan, në rrugën “Luan Haradinaj”, përkatësisht në kompaninë “Gogaj AG”, me dashje e privon nga jeta Agonis Tetaj./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.