
Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv, ka realizuar sot një vizitë në ambientet e televizionit Kanal0, ku edhe zhvilloi intervistën e dhënë për emisionin “Gazeta”.
Ziv teksa fliste për angazhimin e saj, deklaroi se në Kosovë ndihet sikurse në shtëpi.
“Ndihem si në shtëpinë time këtu. Jam gjithmonë e lumtur të vij dhe të punoj tutje duke I çuar marrëdhëniet një hap përpara.
Këtë herë erdha me një delegacion nga Ministria e Bashkëpunimit Rajonal në Izrael, e cila është një ministri që fokusohet kryesisht në krijimin e lidhjeve njerëz-njerëz dhe projekteve të përbashkëta me njerëzit në Ballkan dhe, natyrisht, veçanërisht në Kosovë“, tha ajo.
Ajo bëri të ditur se gjatë kësaj jave është nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi mes ambasades izraelite dhe dy ministrive në vend.
“Këtë javë nënshkruam një Marrëveshje Bashkëpunimi me Ministrinë e Arsimit dhe Ministrinë e Infrastrukturës për të krijuar një kurrikulë të përbashkët arsimore për studimin e ndryshimeve klimatike. E kemi kuptuar se është jashtëzakonisht e rëndësishme të përfshihet ndryshimi i klimës në kurrikulën e shkollave, sepse kjo është një çështje globale, është një temë ndërdisiplinore që përfshin biologji, kimi, fizikë, studime shoqërore, psikologji dhe shumë tema të tjera. Meqë gjërat po ndryshojnë, bota po ndryshon, sistemi arsimor duhet të fillojë të merret gjithashtu me këtë temë. Ne erdhëm këtu për të krijuar partneritet së bashku me ministritë këtu dhe për të krijuar një kurrikulë studimi të përbashkët për shkollat këtu“, shtoi ajo.