
Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Portugalisë, Sergio Sousa Pinto, ka thënë se shteti i tij do ta përkrahë Kosovën sa i përket liberalizmit të vizave dhe proceset tjera integruese. Deputeti portugez, është pritur në takim nga anëtarët e Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme. Kreu i këtij komisioni Haki Abazi, ka kërkuar përkrahjen e Portugalisë edhe për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shtetet mosnjohëse.
Raporti Arza Kastrati
Përkrahje për Kosovën në proceset integruese ka dhënë në Prishtinë, kryetari i komisionit për Politikë të Jashtme të Kuvendit të Portugalisë, Sergio Sousa-Pinto.
Ai ka thënë se shteti portugez do ta mbështes Kosovën për liberalizmin e vizave dhe për anëtarësim në Bashkim Evropian.
Madje, deputeti portugez ka thënë se kanë lidhje të veçantë emocionale me Kosovën dhe miqësi shumë vjeçare.
Pas takimit me anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës, kreu i këtij komisioni Haki Abazi, ka thënë se nga Portugalia ka kërkuar përkrahje diplomatike edhe për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shtetet mosnjohëse.
Delegacionin e Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit të Portugalisë, e kanë pritur në takim edhe anëtarët e Komisionit parlamentar për Integrime Evropiane./Gazeta10