
Krerët e shtetit kanë thënë se Kosova është e gatshme për një marrëveshje me Serbinë, me njohjen reciproke në qendër. Këto deklarime, presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti i kanë bërë pas takimit me emisarin amerikan, Gabriel Escobar, i cili ka qëndruar për vizitë në Prishtinë. Diplomati amerikan ka thënë se qëllimi i vizitës së tij është për të shprehur mbështetjen amerikane, raporton Gazeta10.
Raporti: Gentiana Gashi
Kamera: Fisnik Slivova
Kërkesa për intensifikim të procesit të dialogut ka bërë që të shpeshtohen edhe vizitat e emisarëve ndërkombëtarë në Kosovë.
Këtë të mërkurë, në Prishtinë ka qëndruar i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ku është pritur në takime të ndara nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.
Pas takimit me presidenten Osmani, Escobar ka thënë se qëllimi i ardhjes së tij në Prishtinë është për të shprehur mbështetjen amerikane.
“Unë jam këtu që t’i shpreh presidentes mbështetjen e vazhdueshme të Amerikës për Kosovën. Ngjarjet e kësaj jave në Kosovë janë indikator i rëndësishëm se si Kosova po kontribuon në mënyrë pozitive për agjendën e përbashkët të demokracisë”.
Derisa ka përmendur pakënaqësitë kundrejt palës serbe, presidentja Osmani ka thënë se Kosova ka qenë dhe është palë konstruktive në dialogun me Serbinë dhe ka gatishmëri që të rrisë angazhimin, me qëllim të intensifikimit të procesit.
Sikur me Osmanin, të shkurtra kanë qenë deklarimet edhe me kryeministrin Kurti.
Pas takimit me kreun e ekzekutivit kosovar, Escobar ka thënë se kanë diskutuar për dialogun me Serbinë dhe implikimet rajonale të cilat krijohen nga dialogu.
Escobar ka thënë se Kosova dhe Amerika kanë partneritet të palëkundur.
“Mendoj se e thatë shumë mirë, është një partneritet i palëkundshëm ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. SHBA mbështetë Kosovën në të gjitha aspiratat euroatlantike dhe do të shohim mundësinë për të mbështetur edhe më tutje Kosovën në këtë rrugë”
Ndërkaq, edhe kryeministri Kurti ka treguar gatishmërinë për të çuar përpara procesin e dialogut, si dhe integrimin euroatlantik të Kosovës.
Kurti ka thënë se kush është në anën e Amerikës, është në drejtimin e duhur.
Pas takimit me krerët e shtetit, Escobar do të ketë takime edhe me liderët e partive opozitare, derisa vizitën e tij do ta vazhdojë edhe në Beograd, ku do të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Kjo është herë e dytë brenda pak muajve, që Escobar ka vizituar Kosovën dhe Serbinë në përpjekje për progres në procesin e dialogut ndërmjet të dyja vendeve./Gazeta10.