Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

2 mijë euro gjobë ndaj të akuzuarit për rrahje të së dashurës së tij

Gazeta10
05 Dhjetor 2025 - 9:38

Gjykata Themelore në Prishtinë, të enjten, e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 2 mijë euro gjobë të akuzuarin K.G., për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” ndaj të dëmtuarës NN.

Shpalljen e aktgjykimit e ka bërë gjyqtari Albert Haliti, pasi i akuzuari e pranoi fajësinë për veprën që i vihej në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjyqtari Haliti, njoftoi se i akuzuari dënimin me gjobë do ta paguajë në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Gjykata, të akuzuarin G., e obligoi të paguajë shpenzimet e procedurës dhe atë në emër të paushallit gjyqësor shumë prej 20 euro, për ekspertizën mjekësore shumën prej 20 euro dhe në emër të Fondit për Kompensimin e Viktimave të Krimit shumën prej 20 euro.

Pala e dëmtuar u udhëzua në kontest të rregullt juridiko-civil. Gjyqtari Haliti njoftoi se palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese kundër këtij aktgjykimi në afat prej 30 ditësh në Gjykatën e Apelit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 15 janar 2020, i akuzuari K.G., ngarkohej se me datën 31 tetor 2019, në Prishtinë, për shkak të raporteve të përkeqësuara gjatë lidhjes së dashurisë, si dhe pas një mosmarrëveshje të atëçastshme në mes të tij me të dëmtuarën NN., i pandehuri me qëllim të shkaktimit të lëndimeve trupore të dëmtuarës, e sulmon fizikisht dhe i shkakton lëndime trupore plagë mbretëse në buzën e sipërme të gojës të shkaktuara nga mjeti i fortë mbretës (jo të mprehtë, i topitur), që për nga natyra e tyre, bëjnë pjesë në dëmtime të lehta trupore, me pasoja të përkohshme për shëndetin.

Për këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Lëndimi i lehtë trupor” nga neni 185, par.1, nënpar.1.4, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.