
Dy persona janë arrestuar pasi autoritetet kanë gjetur një pajisje shpërthyese në aeroportin “Billy Bishop”, në qytetin e Torontos, Kanada.
Sipas policisë, rreth orës 16:00 të së shtunës, një pajisje u gjet në një biçikletë të parkuar pranë terminalit të trageteve në anën e ishullit të aeroportit.
Terminali i trageteve dhe tuneli u mbyllën, pasagjerët në terminal u evakuuan dhe u anuluan disa fluturime, shkruan CNN, transmeton Gazeta10.
Policia arriti të kryente shpërthim të kontrolluar të mjetit që u gjet.
“Pajisja është çarmatosur dhe Shërbimet e Policisë së Torontos kanë përfunduar hetimin e tyre dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes”, tha aeroporti përmes një deklarate për media.
Dy personat e dyshuar janë në paraburgim, tha policia e Torontos. Autoritetet nuk kanë dhënë detaje shtesë për llojin e pajisjes së gjetur.
Operacionet dhe fluturimet e aeroportit do të rifillojnë gjatë ditës së diel, sipas aeroportit./Gazeta10.