Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka reaguar ashpër ndaj qëndrimeve të Prokurorisë së Gjykatës Speciale në Hagë, duke vlerësuar se kjo gjykatë ka devijuar nga misioni i saj themelor për të sjellë drejtësi.
Në reagimin e saj, PDK thekson se në ditën e parë të fazës përmbyllëse të gjykimit u bë e qartë se procesi nuk po zhvillohet më si një gjykim i zakonshëm, por si një përpjekje për deformim të së vërtetës historike dhe ndërtim të një narrative të rreme, në të cilën lufta çlirimtare e popullit të Kosovës tentohet të paraqitet si projekt kriminal.
Sipas PDK-së, krimet e regjimit të Millosheviqit dhe aparatit shtetëror serb në Kosovë dhe rajon janë të dokumentuara gjerësisht nga mekanizmat ndërkombëtarë të drejtësisë dhe faktet historike, ndërsa Serbia ka qenë agresore dhe populli i Kosovës viktimë. Në këtë kontekst, Ushtria Çlirimtare e Kosovës përshkruhet si një organizim popullor, i lindur nga nevoja për rezistencë ndaj një regjimi shtypës dhe gjenocidal.
PDK vlerëson se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi nuk po gjykohen si individë të veçuar, por si simbole të rezistencës, çlirimit dhe shtetformimit të Kosovës, duke e cilësuar këtë qasje si përpjekje për barazim të viktimës me agresorin dhe kriminalizim të luftës për liri.
Partia e quan të papranueshme edhe përpjekjen për ta ndërlidhur shpalljen e Pavarësisë së Kosovës me pretendime kriminale, duke theksuar se pavarësia është akt politik i njohur ndërkombëtarisht dhe i mbështetur në të drejtën universale të popujve për liri.
Në fund, PDK rikonfirmon bindjen e saj në pafajësinë e ish-krerëve të UÇK-së dhe në legjitimitetin e luftës çlirimtare, duke theksuar se çdo përpjekje për kriminalizimin e saj përbën rishkrim të historisë dhe cenim të themeleve të shtetit të Kosovës. “Liria nuk është krim dhe historia nuk mund të rishkruhet”, thuhet në reagimin e PDK-së.