Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Rama: Të dënosh krerët e UÇK-së, do të thotë të legjitimosh krimet e agresorit

Gazeta10
09 February 2026 - 17:07

 

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas kërkesës së Prokurorisë në Hagë për dënimin me nga 45 vjet burg për secilin prej ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Rama e ka cilësuar këtë kërkesë si akt të turpshëm të shtrembërimit të së vërtetës dhe sulm politik ndaj luftës çlirimtare.

Sipas tij, kërkesa për dënime maksimale ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së përbën kriminalizim të rezistencës ndaj okupimit dhe, siç u shpreh ai, legjitimim të krimeve të agresorit.

“Kërkesa e Prokurorisë për dënime maksimale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është një akt i turpshëm i shtrembërimi të së vërtetës dhe një sulm politik ndaj luftës çlirimtare.

Të kërkosh dënime prej 45 vjetësh për krerët e UÇK-së, do të thotë të kriminalizosh rezistencën ndaj okupimit dhe të legjitimosh, krimet e agresorit. Ky proces nuk synon të zbardhë përgjegjësi individuale, por të godasë vetë aktin e çlirimit dhe ta paraqesë luftën për liri si vepër penale”, shkroi Rama.

Ai njëherësh shkroi se se në këtë proces, sipas vlerësimit të tij, nuk po gjykohen individë, por po sulmohet një komb.

“Këtu nuk po gjykohen individë, por po sulmohet një komb. Po tentohet të përmbyset historia duke e zhvendosur fajin nga agresori te viktima, nga shteti që kreu krime te ata që u ngritën kundër tyre. Kjo është padrejtësi e institucionalizuar dhe revizionizëm politik! Një drejtësi që barazon pushtuesin me të pushtuarin nuk është drejtësi. Është një farsë që rrezikon të shndërrohet në njollë të përhershme mbi kujtesën historike dhe mbi vetë nocionin e drejtësisë ndërkombëtare”, shkroi i pari i Prishtinës.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.