
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves shprehet i kënaqur me konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, duke e cilësuar këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm drejt stabilitetit politik dhe avancimit të vendit në arenën ndërkombëtare, shkruan Gazeta 10.
Hargreaves në Politiko tha se pas vonesave gjatë vitit 2025, të cilat kishin shkaktuar zhgënjim te qytetarët, formimi i institucioneve të reja përfaqëson një moment të ri shprese për Kosovën.
“Jam shumë i kënaqur që Kuvendi u konstitua dje dhe që u bë e mundur formimi i Qeverisë pas vitit 2025, ku besoj se të gjithë ishim të zhgënjyer nga vonesat dhe nga pamundësia e Kosovës për të zënë me të vërtetë vendin që i takon në arenën ndërkombëtare dhe për të bërë gjëra që janë në interes të të gjithë qytetarëve të saj,” u shpreh ai në Politiko.
Ambasadori britanik theksoi se viti 2026 duhet të jetë një vit i vendimeve të guximshme politike, që do të përfitojnë të gjitha komunitetet në Kosovë dhe do të kontribuojnë në stabilitetin rajonal dhe sigurinë evropiane.
“e shoh 2026-tën si një vit shumë më të mirë, ku një qeveri e fortë të jetë në gjendje të marrë disa vendime politikisht të guximshme, të cilat do të jenë në dobi të të gjithëve në Kosovë, për të gjitha komunitetet e ndryshme, por edhe do të kontribuojnë në stabilitetin rajonal dhe në rolin e Kosovës në sigurinë më të gjerë evropiane,” tha Hargreaves në Politiko.
Ai vuri theks të veçantë te nevoja për politika që mbështesin qytetarët punëtorë, sidomos të rinjtë, të cilët sipas tij duhet të kenë mundësi reale për të ndërtuar të ardhmen e tyre në vend.
“Mbi të gjitha, duhet të ndërmerren veprime në të mirë të shumë njerëzve punëtorë, veçanërisht të rinjve në këtë vend që duan të qëndrojnë këtu dhe të shfrytëzojnë mundësitë që u ofron ky vend,” tha ai.
Në fund, ambasadori britanik shprehu optimizëm se me stabilitetin institucional dhe mandatin e fortë, Qeveria e re do të jetë në gjendje të përmbushë pritjet e qytetarëve dhe të avancojë agjendën e zhvillimit dhe integrimit të Kosovës.