
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar ndaj deklaratave të Grenellit i cili kishte thënë se raporti ndërmjet presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti vazhdon të jetë i njejtë si më herët dhe se të njejtit janë një ekip, shkruan Gazeta 10.
Haradinaj në Politiko tha se raporti mes tyre ka ndryshuar dhe se sipas tij ata nuk mund të konsiderohen më si një ekip politik.
Ai tha se duhet të tejkalohen qëndrimet dhe përvojat e së kaluarës, pasi që, siç e quan ai, tashmë ekziston një realitet i ri politik në vend.
“Ka ardhur koha t’i tejkalojmë qëndrimet dhe përvojat e së kaluarës, sepse tani kemi një fakt dhe një realitet të ri. Presidentja Osmani ka një ndarje me kryeministrin Kurti. Të thuhet ende se janë ekip, mendoj se nuk është më e vërtetë”, tha Haradinaj në Politiko.
Sipas tij, edhe nëse në të kaluarën mund të jenë konsideruar si një ekip, zhvillimet e fundit tregojnë se tashmë situata ka ndryshuar.
“Realisht mund të thuhet sa ishin ekip dhe çfarë kanë bërë bashkë, por sot nuk mund të thuhet më se janë ekip. Tash janë bërë ekipe të kundërta dhe kjo po shihet qartë. Ky është realiteti dhe duhet ta respektojmë të gjithë”, u shpreh ai.
Haradinaj shtoi se në të kaluarën ka pasur vërejtje nga institucionet amerikane për marrëdhëniet e vështirësuara me Kosovën, duke përmendur edhe ndërprerjen e Dialogut Strategjik.
Ai theksoi se kjo ishte lidhur drejtpërdrejt me raportin me kryeministrin Kurti dhe se ka pasur zhvillime të shumta politike që nga ajo kohë.
“Ka pasur vërejtje nga institucionet amerikane për marrëdhëniet e vështirësuara me Kosovën, ku edhe është ndërprerë Dialogu Strategjik, duke e theksuar direkt marrëdhënien me kryeministrin Kurti. Pra ka shumë zhvillime të tilla”, tha Haradinaj.
Megjithatë, ai shtoi se duhet të ecim me kohën dhe të marrim parasysh ndryshimet që kanë ndodhur.
“Unë mendoj se duhet të ecim me kohën, sepse këto kanë qenë të kaluara”, përfundoi kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës./Gazeta 10
Deklarata e plotë: