
Komentatori politik, Dardan Krasniqi në Politiko ka kritikuar mënyrën se si është trajtuar diskursi ndaj Serbisë, duke e cilësuar reagimin e kryeministrit Albin Kurti si më tepër politik dhe folklorik.
Sipas Krasniqit, kjo qasje nuk ka për qëllim përbaltjen, por duhet të merret si një reflektim për mënyrën se si institucionet duhet të komunikojnë për çështje të ndjeshme të sigurisë.
“Reagimi i Kurtit, jo për ta përbaltur, por për ta marrë si të mirëqenë, ishte më shumë politik edhe folklorik,” tha Krasniqi në Politiko.
Ai theksoi se qasja ndaj Serbisë shpesh karakterizohet nga një qetësi që, sipas tij, mund të interpretohet si naive, duke kërkuar një reagim më të fuqishëm dhe më institucional.
“Me njëfarë qetësie tejet naive, sa herë të flitet për Serbinë, ne duhet të jemi më institucional dhe të reagojmë më fuqishëm, jo me terma që në fakt e nënvlerësojnë fuqinë ushtarake që e ka Serbia,” deklaroi Krasniqi.
Sipas tij, diskursi publik dhe institucional duhet të reflektojë seriozitet më të madh përballë zhvillimeve dhe kapaciteteve ushtarake të Serbisë, duke shmangur retorikën që mund të perceptohet si minimizuese.