Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Mjekët drejt pensionimit, repartet në prag të mbylljes

Gazeta10
26 October 2022 - 19:51

Përfaqësues të punëtorëve shëndetësorë kanë alarmuar se një numër i madh i reparteve në institucionet publike shëndetësore janë në prag të mbylljes për shkak të mungesës së stafit. Ata thonë se krizën në këtë fushë do ta rëndojë më shumë edhe pensionimi i një pjese të mjekëve, pasi që mosha mesatare e tyre është mbi 53 vjeç. Për këtë, ata fajësojnë ekzekutivin për mosmarrjen e ndonjë veprimi. Ndërkaq, nga Ministria e Shëndetësisë nuk i janë përgjigjur pyetjeve të televizionit.

Raporti: Arbenita Ilazi.

Numër i madh i reparteve në institucionet publike shëndetësorë në Kosovë thuhet se janë në rrezik të mbylljes në një të ardhme të afërt për shkak të ikjes së punëtorëve shëndetësorë, e moshës mesatare të atyre që po punojnë në to.

Nga Federata e Sindikatave të Shëndetësisë thonë se mosha mesatare e punonjësve shëndetësorë në këto institucione është mbi 53 vjeç.

Sipas tyre, me ikjen e vazhdueshme të stafit nga vendi, e me daljen e një pjese të madhe të punëtorëve në pension, do të rrezikohen shumë shërbime shëndetësore.

Nënkryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë në Kosovë, Bajram Kryeiu ka thënë se disa reparte tashmë veçse janë në rrezik të mbylljes për shkak të mungesës së anesteziologëve dhe kirurgëve.

Gjendjen në shëndetësi sipas nënkryetarit të Sindikatës së Punëtorëve Shëndetësorë të QKUK-së, Enlirat Duraku pritet ta rëndojë më shumë edhe largimi i punonjësve nga sektori publik në atë privat.

Sipas tij, e gjithë kjo situatë është krijuar si pasojë e mosplotësimit të kërkesave të punëtorëve shëndetësorë.

Krizë në sektorin e shëndetësisë kanë paralajmëruar edhe nga Oda e Mjekëve të Kosovës.

Në lidhje me paralajmërimet e sindikalistëve, nga Ministria e Shëndetësisë nuk i janë përgjigjur pyetjeve të televizionit.

Ndërkaq, Sindikata e Punëtorëve Shëndetësorë të QKUK-së ditë më parë ka thënë se mbi 500 infermier janë larguar vetëm gjatë këtij viti nga Kosova, derisa ka paralajmëruar se gjatë vitit të ardhshëm vendin do ta lëshojnë edhe rreth 1 mijë e 500 të tjerë./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.