Një automjet Volkswagen, pronë e një serbi është djegur mbrëmë rreth mesnatës në Leposaviq, ndërsa përveç dëmeve materiale nuk ka të lënduar në njerëz.
Këtë e ka konfirmuar për Gazeta10 zëdhënësi i policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Besim Hoti i cili ka thënë se dyshohet se shkak i kësaj zjarrëvenie të qëllimshme është konvertimi i targave të automjetit në RKS.
“Në rrugën pranë çerdhes së vjetër në Leposaviq, është djegur automjeti VW ngjyrë hiri, pronë e C. N. (1991) me targa të Kosovës. Në vendin e ngjarjes janë ekipet e zjarrfikësve, policisë, si dhe inspektorët, ndërsa është informuar edhe prokurori i shtetit, i cili e ka karakterizuar incidentin si ‘zjarrvënie’. Hetimet janë në zhvillim.”, ka thënë ai.
Ndryshe, situata rreth konvertimit të targave në RKS nga banorët serb në Kosovë duket të jetë e tensionuar ditëve të fundit sa që një ditë më parë në Leposaviq ishte djegur automjeti i një rreshteri policor./Gazeta10