
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arjeta Fejza në Politiko ka deklaruar se mandatet në Kuvendin e Kosovës janë rezultat i drejtpërdrejtë i votës së qytetarëve dhe se çdo subjekt politik duhet ta respektojë këtë vullnet.
Ajo tha se qytetarët u kanë dhënë mandate të ndryshme partive politike dhe se këto numra kanë rëndësi në proceset institucionale.
“Qytetarët na e kanë dhënë mandatin edhe juve edhe mua. Kemi dalë në proces zgjedhor, kemi garuar me programet tona dhe qytetarët e Republikës kanë votuar. Ata ua kanë dhënë juve 22 deputetë, vetëm 22,” tha Fejza.
Ajo shtoi se numri i nënshkrimeve të opozitës as nuk është i mjaftueshëm për të propozuar kandidatura për president në Kuvend.
“22 nënshkrime nuk mjaftojnë as për me shfaq një kandidaturë në Kuvendin e Kosovës për president. Këto janë gjëra të rregulluara me ligj,” u shpreh ajo.
Fejza theksoi gjithashtu se, sipas saj, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë mbështetje më të madhe zgjedhore.
“Per dallim prej neve që na e kanë dhënë 51%, ju po thoni se në të kaluarën ka pasur marrëveshje me më pak përqindje. Vërtet ka pasur marrëveshje, por dihet se si janë bërë ato. E në aso marrëveshje ne nuk bëjmë,” deklaroi ajo.