
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në intervistën ekskluzive në “Adresa” me Arben Ahmetin në Kanal 10, ka folur me emocione për raportin dhe kujtimet me veprimtarin e njohur shqiptar, Adem Demaçi, duke përmendur edhe zhgënjimin që ai kishte përjetuar në vitin 2011.
Thaçi ka treguar se i kishte ardhur keq për mënyrën se si, sipas tij, ishte trajtuar Demaçi nga njerëz që deklaroheshin si “studentë” të tij politikë.
“Më erdhi keq, kur në fillim të vitit 2011, Demaçi si njëri nga kandidatët më potencialë për t’u zgjedhur president, pasi siguroi mbështetje të mjaftueshme, në fund u refuzua nga ata që përbetoheshin se ishin ‘studentët’ e tij politikë”, ka thënë Thaçi.
Sipas tij, Demaçi ishte zhgënjyer jo pse nuk ishte zgjedhur president, por për shkak të mënyrës se si ishte keqpërdorur emri i tij.
“U zhgënjye, jo pse nuk u zgjodh, por nga keqpërdorimi i emrit të tij dhe mashtrimi që ia kishin bërë”, është shprehur ai.
Thaçi ka rrëfyer gjithashtu edhe një takim emocional me Demaçin, një ditë para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, duke e cilësuar atë si një prej momenteve më domethënëse të jetës së tij politike. /GAZETA10/