
Ish zv.ministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha në emisionin Gazeta tha se ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë mes incidentit të fundit dhe gjuhës së përdorur gjatë fushatave zgjedhore në Kosovë.
Sipas tij, fushatat zgjedhore ndër vite kanë qenë të tensionuara dhe të shoqëruara me gjuhë ofenduese mes partive politike.
“Po, pashmangshëm se ka një lidhje direkte mes incidentit, po e quaj ashtu, dhe fushatës zgjedhore, sepse edhe në të kaluarën e afërt fushatat kanë qenë të nxehta, kanë qenë dinamike dhe janë përdorur shumë terma ofendues nga njëra palë tek tjetra. Kryesisht, për fat të keq, nga partia e parë në shumicën e rasteve, nga lideri i Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti”, tha Hoxha në Gazeta.
Ai shtoi se një gjuhë e tillë politike krijon ndarje në shoqëri dhe ndikon edhe tek qytetarët.
“Kjo pashmangshëm krijon perceptim të një problematike, të një ndarjeje shoqërore dhe natyrshëm pastaj qytetarët, të cilët nuk janë të gjithë në nivelin e kryeministrit sa i përket artikulimit politik, mund të veprojnë duke menduar se po bëjnë mirë, në këtë rast mbrojtjen e Sami Lushtaku”, u shpreh ai.
Deklarata e plotë: https://youtu.be/fvP9j0G6Dio