Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Studentët në Shkup mesazh Ministrisë së Drejtësisë: Mos e trajtoni këtë çështje me arrogancë, sa më shumë që injorohemi, më shumë do të rritet revolta

Gazeta10
18 May 2026 - 18:22

Me thirrje e pankarta për mundësimin e mbajtjes së provimit të jurisprudencës në shqip përveç maqedonishtes, studentët shqiptarë filluan marshin protestues në Shkup nga Ura e Gurit drejt Ministrisë së Drejtësisë. Ata kërkojnë që institucionet shtetërore ta zbatojnë Ligjin e gjuhëve dhe zëri i tyre të dëgjohet.

Me pankarta “Ligj në letër, diskriminim në praktikë”, “Gjykata politike e Maqedonisë së Veriut”, “Respekto Ligjin për Gjuhët”, “Gjykata destabilizuese”, “Politika ka korruptuar Gjykatën Kushtetuese“, “Përgjegjësi” dhe “Ligji për gjuhët është i qartë”, studentët kërkojnë që institucionet të respektojnë ligjin e gjuhëve dhe që ligji të mos mbetet thjeshtë në letër, por i njëjti të zbatohet.

Pasi mbërritën para Ministrisë së Drejtësisë njëri nga organizatorët e protestës, Mevlan Ademi, tha se studentët shqiptarë u përballën me ndalesa dhe pengesa gjatë rrugës për në Shkup, ndërsa sipas tij ka pasur edhe ndalime të autobusëve nga Kumanova.

Ai kritikoi mënyrën e trajtimit nga policia, duke theksuar se protesta është paqësore dhe se pjesëmarrësit kërkojnë vetëm të drejtat e tyre, veçanërisht të drejtën për të dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe.

Ademi tha se kjo nuk është kërkesë për privilegje, por për të drejta të garantuara, duke shtuar se gjuha shqipe, është e drejtë e fituar dhe nuk mund të kufizohet nga institucionet.

“Herën e fundit u ankuan për flamurin shqiptar. Studentët shqiptar nga Tirana në mënyrë të dhunshme dërgohen në Kumanovë, protesta është në Shkup. Kur dalim të protestojmë në mënyrë paqësore, provokohemi rrugës. E dashur polici, edhe neve duhet të na mbroni. Së bashku shqiptar, në një kauzë të pa ndarë, i themi botës jemi shqiptar. Sapo mora lajmin prej studentëve, janë arrestuar, a është normale kjo. Zëri ynë i gjuhës që na ka folur nëna brez pas brezi. Ky zë kërkon që të flas shqip në vendin e tij. Kërkojmë gjuhën tonë, amanetin tonë, Nuk është privilegj, por e drejtë nga Marrëveshja e Ohrit, Kjo është e drejtë sepse ne kemi qenë këtu. Edhe sa kohë duhet të presë një shqiptar për të dhënë provimin në gjuhën e tij, për të ushtruar profesionin në gjuhën e tij? Nuk ka institucion që mund të prekë gjuhën shqipe,. As Ministria e Drejtësisë, as Gjykata Kushtetuese. Ne nuk jemi kundër këtij shteti, ne jemi këtu për dinjitet, barazi dhe respekt. Ata që na thonë prisni, ne ju themi nuk presim më”, tha Ademi.

Një tjetër organizator i bëri thirrje Filkovit që të mos e trajtojë çështjen me arrogancë

“Vetëm një shoqëri që i trajton të gjithë me barazi mund të ketë stabilitet dhe të ardhme evropiane. Studentët janë e ardhmja e këtij shteti e jo problem, prandaj sot edhe një herë i bëjmë thirrje Filkovit mos e trajtoni këtë çështje me arrogancë institucionale, sepse çdo vonesë është mesazh se sistemi nuk i dëgjon studentët. Poashtu i bëjmë thirrje kryeministrit, Hristija Mickoski,mos e lini këtë temë të mbetet deklarata për mediat. Dhe një mesazh për të gjithë përfaqësuesit shqiptar, sot kërkohet koordinim dhe angazhim, pa dallime partiake. Sot jemi më të qartë dhe më të vendosur, dhe sa më shumë që injorohet zëri i studentëve, aq më shumë do të rritet revolta qytetare. Ne rebelohemi kur na mohohet e drejta”, tha ai.

Pavarësisht protestave të studentëve shqiptarë dhe premtimeve të përsëritura nga pushteti, çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe vazhdon të mbetet pa zgjidhje konkrete institucionale./Portalb.mk

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.