
Kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demoktarike të Kosovës, Lulzim Zeneli në Gazeta tha se LDK-ja po demonstron një energji të re politike dhe një mobilizim të madh të elektoratit në prag të zgjedhjeve.
Sipas Zenelit, kjo energji po reflektohet çdo ditë përmes bashkimit të mbështetësve të partisë, të cilët sipas tij, për një kohë kanë qenë të shpërndarë politikisht.
“LDK po demonstron një energji të jashtëzakonshme dhe kjo po demonstrohet çdo ditë duke e bashkuar elektoratin e vet, i cili me kohë ose nëpër kohë ka qenë i shpërndarë dhe tash ka një alternativë të sigurt të shpresës”, ka deklaruar Zeneli.
Ai ka shtuar se alternativa që po ofron LDK-ja i hap Kosovës një perspektivë të re politike dhe zhvillimore.
“Është një alternativë që Kosovës i hap një perspektivë të re. Prandaj jemi të sigurt se LDK-ja në këto zgjedhje do të jetë subjekti që do të marrë barrën dhe përgjegjësinë për udhëheqjen e vendit në mandatin e ardhshëm”, u shpreh kandidati për deputet.
Zeneli u shpreh optimist për rezultatin zgjedhor të LDK-së, duke vlerësuar se partia po rikthen besimin e qytetarëve dhe po konsolidohet si alternativë për qeverisjen e ardhshme të vendit.