
Kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demoktarike të Kosovës, Lulzim Zeneli në Gazeta tha se Kosovës i duhet një qasje e re politike dhe energji e freskët për të dalë nga stagnimi institucional dhe politik me të cilin vendi është përballur në vitet e fundit.
Zeneli ka vlerësuar lart rolin e Vjosa Osmanit, për të cilën tha se ka tejkaluar kufijtë e komunikimit vendor dhe ka qenë adresë e rëndësishme e partneritetit ndërkombëtar të Kosovës, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Mund të themi lirisht se kemi të bëjmë me një personalitet i cili ka reflektuar në instanca që i kalojnë kornizat e komunikimit vendor. Ka qenë adresë për vite të tëra e sigurisë dhe stabilitetit të partneritetit të Kosovës me miqtë tanë ndërkombëtarë, e sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Zeneli për Vjosa Osmanin.
Ai ka shtuar se profili dhe kauza që udhëhiqet nga kjo figurë politike kanë ndikuar që vendimi për mbështetje të mos jetë i vështirë.
“Duke ditur profilin e saj dhe kauzën të cilën e udhëheq, atëherë nuk ka qenë shumë e vështirë të merret një vendim i tillë”, tha ai.
Sipas Zenelit, vendi ka nevojë urgjente për dinamizim të skenës politike dhe dalje nga bllokadat që kanë penguar zhvillimet politike dhe institucionale.
“Prandaj Kosovës i duhet një energji e re në kuptimin e asaj që ta dinamizojë skenën politike dhe të lirohet nga kjo bllokadë dhe ky proces i stagnimit, me të cilin është ballafaquar dhe po ballafaqohet deri në zgjedhjet e këtij viti”, tha tutje Zeneli.
Deklarata e plotë: https://youtu.be/Dfq_fYCUkO4