
Ish-Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, ka deklaruar se qarqe të fuqishme politike dhe të sigurisë nga Beogradi qëndronin pas të ashtuquajturës “aferë S.Ç.”, me qëllim destabilizimin e Malit të Zi dhe kompromentimin e Kosovës në prag të proceseve të rëndësishme politike në rajon.
Në një intervistë përTelevizioni E Gjukanoviq tha se një nga objektivat kryesore të këtyre strukturave ishte destabilizimi i Kosovës dhe dëmtimi i imazhit të misionit të NATO-s, KFOR.
“Qëllimi ishte të kompromentohej KFOR-i në Kosovë dhe komanda e tij ushtarake. Për këtë qëllim, po përgatiteshin 27 vajza që do t’u afroheshin zyrtarëve të lartë ushtarakë të KFOR-it. Midis tyre ishte edhe S.Ç.”, deklaroi Gjukanoviq.
Sipas tij, autoritetet malazeze kishin dhënë informacion se vajzat po stërviteshin në stadiumin e klubit të Obiliqit në Beograd.
“Për fat të mirë, KFOR-i dhe UNMIKU arritën të merrnin informacionin në kohë dhe ta parandalonin atë aktivitet”, tha ai.
Gjukanoviqi pretendon se pas këtyre operacioneve qëndronin strukturat e sigurisë dhe kundërzbulimit ushtarak serb, të lidhura me politikën e kohës së Slobodan Miloseviçit dhe kabinetit të ish-Presidentit jugosllav Vojislav Koshtunica.
Ai tha se këto qarqe besonin se destabilizimi i Kosovës do të ngadalësonte ose pengonte njohjen e saj ndërkombëtare.
Sipas Gjukanoviçit, afera “S.Ç.” ishte pjesë e një strategjie më të gjerë politike dhe sigurie kundër pavarësisë së Malit të Zi dhe kundër proceseve euroatlantike në rajon.