
Analisti politik dhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ilir Deda, ka kritikuar qeverisjen aktuale dhe gjendjen politike në vend, duke deklaruar se qeveritë e drejtuara nga Albin Kurti nuk kanë pasur aftësitë e nevojshme për qeverisje efektive.
Në emisionin “Adresa”, Deda tha se më herët e kishte cilësuar qeverinë si “mediocre”, duke shtuar se problemi kryesor në Kosovë mbetet mungesa e njerëzve të duhur në pozita kyçe.
“Qeveria kërkon tjetër loj aftësish, të cilat qeveritë e kryeministrit tanishëm nuk i kanë pasur. Unë para dy vjetëve kam thënë se Albin Kurti e ka qeverinë mediocre, standard mediocre ballkanik”, deklaroi Deda.
Ai tha se në Kosovë vazhdon praktika që njerëzit në pushtet të mos angazhojnë profesionistët më të mirë në institucionet shtetërore.
“Kosova ka problem që njerëzit e pushtetshëm nuk i marrin njerëzit më të mirë me i vendos në pozitat që duhet. Për shkak të kësaj, ne kolektivisht vuajmë”, u shpreh ai.
Sipas Dedës, qytetarët kanë humbur shpresën për ndryshim dhe politika po dominohet nga mllefi dhe urrejtja.
“Sot njerëzit votojnë me inat, me mllef dhe me urrejtje. Kjo nuk është politikë”, tha ai.
Tutje, ai kritikoi edhe subjektet politike për rikandidimin e personave që, sipas tij, kanë qenë të përfshirë në afera dhe manipulime.
Deda përmendi Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, duke thënë se këto parti “kanë rënë në provim” për shkak të rikandidimit të personave me të kaluar problematike.
“Shohim Vetëvendosjen, PDK-në dhe LDK-në që kanë ra në provim, sepse i kanë rikandidu njerëz që i kemi pa nëpër afera e vjedhje votash”, deklaroi ai.
Në fund, Deda tha se testi më i madh do të jetë vetë qytetari në zgjedhjet e ardhshme.
“Ajo ma e dhimshme është që më 7 qershor populli ynë ka me ra në provim”, përfundoi ai.