Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Skandal me prona milionëshe në Prizren: Arrestohen dy persona, dyshohet se tjetërsuan 18 parcela me dokumente të falsifikuara

Gazeta10
20 May 2026 - 18:31

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për veprat penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare” dhe “falsifikim i dokumenteve”, në një rast që lidhet me tjetërsimin e pronave me vlerë milionëshe në Prizren.

Sipas njoftimit të policisë, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, pas një hetimi disa mujor në kuadër të rastit të koduar “Pronat në Prizren”, ka realizuar urdhër kontrolli dhe sekuestrimi të përkohshëm në rajonin e Prishtinës dhe Mitrovicës. Urdhri ishte lëshuar nga Gjykata Themelore në Prizren – Departamenti për Krime të Rënda.

Policia bëri të ditur se gjatë kontrolleve, të dyshuarit janë shoqëruar në polici, pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin falsifikuar dokument-letërnjoftimin e Serbisë të një viktime që kishte vdekur disa dekada më parë. Sipas hetimeve, ata më pas kishin prezantuar një person tjetër në mënyrë fiktive dhe kishin realizuar marrëveshje të procedurës së ndërmjetësimit tek ndërmjetësuesi.

Përmes kësaj marrëveshjeje dhe me kërkesë në Drejtorinë e Gjeodezisë dhe Kadastrit në Komunën e Prizrenit, dyshohet se kanë arritur të tjetërsojnë 18 prona/parcela me sipërfaqe rreth 3.60 hektarë, të vendosura në një fshat të Prizrenit, me vlerë rreth 1 milion euro.

Gjatë bastisjeve, policia ka sekuestruar një laptop, dy telefona mobilë, 14 mijë e 600 euro para të gatshme, si dhe dokumentacion të ndryshëm që mund të shërbejë si provë në procedurat e mëtejme hetimore.

Sipas policisë, personat e përfshirë dyshohen për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, “Falsifikimi i dokumenteve” nga neni 390, “Legalizimi i përmbajtjes së rreme” nga neni 395, si dhe “Bashkëkryerje” nga neni 31 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Me urdhër të prokurorit kujdestar, njëri nga të dyshuarit është dërguar në mbajtje, një tjetër është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa personi i tretë i përfshirë në rast ndodhet në kërkim policor.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.