
Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi në Gazeta kundërshtoi rregulloren e re për procedurat e rekrutimit në sektorin publik, duke paralajmëruar se ajo mund të cenojë kompetencat e komunave dhe të sjellë centralizim të pushtetit.
Ibrahimi tha se çështja është diskutuar në mbledhjen e Këshillit të Kryetarëve më 14 maj, ku është analizuar përmbajtja e rregullores dhe është vlerësuar se ajo duhet të dërgohet për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.
Sipas tij, kryetarët e komunave dhe përfaqësuesit lokalë kanë shprehur shqetësimin se një kompetencë që aktualisht u takon komunave po synohet të centralizohet nga niveli qendror.
“Me këtë rregullore, në nenin 4 për procedurat e rekrutimit, pika 6 parasheh që këto procedura të zhvillohen nga Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme”, deklaroi Ibrahimi.
Ai theksoi se rregullorja përjashton nga kjo procedurë disa institucione qendrore, si Presidencën, Gjykatën Kushtetuese, sistemin e drejtësisë dhe Kuvendin e Kosovës, por jo edhe komunat.
Sipas AKK-së, kjo qasje mund të krijojë burokraci të tepërt dhe të ndikojë negativisht në funksionimin e pushtetit lokal.
Ibrahimi rikujtoi se Kushtetuta e Republikës së Kosovës njeh dy nivele të qeverisjes – atë qendror dhe lokal – ndërsa obligimet dhe përgjegjësitë e komunave janë të përcaktuara qartë me ligjet në fuqi.
“Ligji për vetëqeverisje lokale i ka të sakësuara kompetencat vetanake, kompetencat e deleguara nga niveli qendror, por edhe kompetencat e zgjeruara për shkak të rrethanave politike që i kemi në vend”, tha ai.
Deklarata e plotë: https://youtu.be/vuRTckc3RQI