
Kandidati për kryeministër nga AAK, Ardian Gjini, së bashku me kandidatët për deputetë, kanë vazhduar takimet elektorale në komunën e Istogut.
Në këtë vizitë, ata u ndalën fillimisht në qytetin e Istogut, të njohur për burimet e pastra, natyrën dhe mikpritjen e banorëve, ku zhvilluan një bashkëbisedim me të rinjtë e komunës. Në fokus të diskutimeve ishin kërkesat e tyre dhe plani zhvillimor i AAK-së, me theks të veçantë tek roli i rinisë në proceset e zhvillimit të vendit.
Përfaqësuesit e AAK-së theksuan se në çdo komunë po takohen me të rinj të vendosur për të qenë pjesë aktive e ndryshimit dhe zhvillimit të Kosovës.
Më pas, delegacioni vazhdoi vizitën në fshatin Trubohoc, ku u takuan me fermerin Burim Qetaj. Ai u vlerësua si shembull i punës dhe përkushtimit në sektorin e bujqësisë, duke menaxhuar me sukses një fermë me mbi 50 krerë lopë dhe duke kontribuar në ekonominë lokale.
Sipas Gjinit dhe përfaqësuesve të AAK-së, lidhja mes rinisë aktive dhe fermerëve të suksesshëm përfaqëson bazën e zhvillimit ekonomik të vendit dhe garancinë për një të ardhme më të qëndrueshme.