
Kërcënimi i presidentit amerikan Donald Trump për ta “hedhur në erë” Omanin i hutoi vëzhguesit në të gjithë spektrin politik në Washington, duke vënë në shënjestër një nga aleatët më të vjetër arabë të Amerikës.
Omani është shteti me pavarësinë më të gjatë të pandërprerë në botën arabe dhe ishte vendi i parë arab i Gjirit që formalizoi marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara në vitin 1833. Për 15 vitet e fundit, Maskati ka negociuar lirime të të burgosurve me Iranin në emër të Washingtonit dhe ka pritur bisedime të fshehta mes dy kundërshtarëve. Mes tensioneve të Luftës së Ftohtë dhe pas revolucionit iranian të vitit 1979, Omani u bë shteti i parë i Gjirit që nënshkroi një marrëveshje për qasje ushtarake me SHBA-në në vitin 1980.
I quajtur “Zvicra e Lindjes së Mesme”, Maskati ka ndjekur prej kohësh një politikë të jashtme fuqishëm të pavarur, të formësuar nga historia dhe gjeografia e tij. Pozicioni strategjik në Detin Arabik dhe kontrolli i pjesshëm mbi Ngushticën e Hormuzit ndihmuan që ai të bëhej një fuqi rajonale në shekullin XIX, me një nga flotat detare më të fuqishme në rajon. Por pozicioni i tij gjithashtu e ekspozoi ndaj pushtimeve dhe ndërhyrjeve të përsëritura nga fuqitë rajonale, përfshirë persët dhe sauditët, si edhe ndaj kryengritjeve të mbështetura nga jashtë brenda vendit.
Marrëdhëniet e Maskatit me Iranin kanë qenë historikisht të përzemërta, por të kujdesshme. Ndryshe nga disa shtete fqinje të Gjirit që u bënë qendra për biznesin dhe migrimin iranian, Omani mbajti një marrëdhënie më të qetë me Teheranin, të përqendruar kryesisht në diplomaci, duke ndihmuar që vendi të shndërrohej në një ndërmjetës të besueshëm mes dy kundërshtarëve.
Që nga fillimi i konfliktit, Omani është shfaqur si një nga kritikët më të fortë rajonalë të luftës, me Albusaidin që paralajmëroi se Washingtoni kishte “humbur kontrollin mbi politikën e tij të jashtme”. Gjatë gjithë luftimeve, Maskati mbeti i angazhuar me Iranin, SHBA-në dhe fuqitë rajonale në përpjekjet për të ringjallur diplomacinë, edhe pse sulme të lidhura me luftën goditën territorin oman – duke i bërë kërcënimet publike të Trump ndaj Omanit edhe më të jashtëzakonshme.