
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka deklaruar se Kosova po përballet me sfida të mëdha ekonomike, duke theksuar se bizneset po hasin vështirësi për të mbijetuar, ndërsa qytetarët po përballen me rritjen e kostos së jetesës.
Përmes një postimi publik, Hamza tha se ka takuar përfaqësues të bizneseve, të cilët sipas tij kanë shprehur nevojën për më shumë mundësi zhvillimi dhe për një shtet që i mbështet, e jo që u krijon pengesa.
“Bizneset mezi po mbijetojnë. Qytetarët po paguajnë më shumë dhe po jetojnë më keq, sepse kostoja e jetesës është rritur. Përfaqësuesit e bizneseve që takova sot duan më shumë mundësi dhe një shtet që i ndihmon, jo që i pengon”, ka shkruar Hamza.
Ai theksoi se zhvillimi ekonomik duhet të jetë prioritet, duke shtuar se mbështetja e sektorit privat është thelbësore për krijimin e vendeve të reja të punës dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.
Sipas Hamzës, ndryshimi fillon me ekonominë, pasi, siç u shpreh ai, “nuk ka zhvillim pa mbështetje për ata që krijojnë vende pune”.