Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Haxhiu i thotë Costas në takim se “orientimi i qartë europian” i Kosovës duhet të shihet si vlerë për vetë BE’në

Gazeta10
03 June 2026 - 13:39

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim presidentin e Këshillit Europian, António Costa, në kuadër të vizitës së tij në Ballkanin Perëndimor dhe përpara Samitit BE-Ballkani Perëndimor, i cili do të mbahet në Tivat.

Në njoftimin e Presidencës për takimin thuhet se Haxhiu e falënderoi Costan për vizitën në Kosovë dhe për vëmendjen e vazhdueshme të Këshillit Europian ndaj rajonit. Ajo theksoi se për Republikën e Kosovës, anëtarësimi në Bashkimin Europian mbetet orientim strategjik, zgjedhje politike e qytetarëve dhe interes afatgjatë shtetëror.

“U.d. Presidentja Haxhiu nënvizoi se Kosova mbetet një nga shoqëritë më proeuropiane në rajon. Për qytetarët e saj, Bashkimi Europian është bashkësi e demokracisë, sundimit të ligjit, paqes dhe dinjitetit. Në një kohë ndikimesh të dëmshme në rajon, orientimi i qartë dhe i rrënjosur evropian i Kosovës duhet të shihet si vlerë për vetë Bashkimin Evropian”, tha Presidenca.

Presidenca shtoi se në takim u diskutua për “rrugën europiane të Kosovës, për nevojën e avancimit të procesit të integrimit, si dhe për rëndësinë e zbatimit të reformave që lidhen me Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor”.

Haxhiu i tha Costas se Kosova e sheh këtë Plan si mundësi konkrete për zhvillim ekonomik, për afrim me tregun e përbashkët europian dhe për përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët.

Sipas Presidencës, Costa ka thënë se çështjet që lidhen me integrimin në Bashkimin Europian dhe zbatimin e Planit të Rritjes “kërkojnë pajtim ndërpartiak dhe konsensus kombëtar në Kosovë, përtej dallimeve politike dhe partiake”.

“Në këtë frymë, u.d. Presidentja Haxhiu theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar për ta çuar përpara agjendën evropiane përmes reformave, koordinimit institucional dhe bashkëpunimit të ngushtë me Bashkimin Evropian. Ajo shtoi se Kosova ka dëshmuar përkushtim ndaj demokracisë, sundimit të ligjit, të drejtave themelore dhe bashkëpunimit me Bashkimin Evropian. Në takim u diskutua edhe për zhvillimet në rajon, për rëndësinë e sigurisë dhe stabilitetit, si dhe për nevojën që perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor të shoqërohet me hapa konkretë, të drejtë dhe të barabartë për të gjitha vendet që zbatojnë reformat dhe respektojnë vlerat evropiane”, thotë Presidenca.

Haxhiu ritheksoi se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar “për marrëdhënie të ngushta me Bashkimin Evropian dhe për një proces integrues që vlerëson meritat, përmbushjen e kritereve dhe përparimin e Kosovës”.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.