
Në Gjykatën e Apelit të enjten është mbyllur për publikun seanca e kolegjit për shqyrtimin e ankesava në rastin ku Ivica Rajkoviq dhe Dragan Deniq janë dënuar me nga 15 vjet burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për dhunim seksual e krime tjera gjatë luftës në Kosovë. Gjykimi në shkallë të parë ishte mbajtur në mungesë të dy të akuzuarve.
Aktvendimin për mbylljen e seancës e mori kolegji i kryesuar nga Avni Mehmeti, Albina Shabani-Rama, gjyqtare referuese dhe Valon Kurtaj, anëtar, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Seanca u mbyll për publikun sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Penale të cilat kanë për qëllim ruajtjen dhe mbrojtjen e identitetit të viktimës.
Vendimi i Themelores për shpalljen fajtorë dhe dënimin e dy të akuzuarve ishte marrë më 28 korrik 2025.
Aktakuza thotë se me përdorimin e dhunës dhe veprimeve tjera çnjerëzore kanë kryer dhunim seksual ndaj gruas së nacionalitetit shqiptar.
Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Krime kundër njerëzimit” nga neni 143, par.1, nënpar.1.6 dhe 1.7 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.