Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Policia e Kosovës shton masat e sigurisë për zgjedhjet e 7 qershorit

Gazeta10
05 June 2026 - 16:45

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka intensifikuar përgatitjet për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të 7 qershorit, duke zhvilluar takime koordinuese me strukturat e saj drejtuese, si dhe me përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare që monitorojnë procesin zgjedhor.

Sipas komunikatës, takimi i parë është mbajtur në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë në Prishtinë me drejtorët rajonalë dhe drejtorët e departamenteve të Policisë së Kosovës, ku janë shqyrtuar planifikimet operative dhe masat e sigurisë për ditën e zgjedhjeve.

“U diskutua për planifikimet operative, masat e sigurisë dhe angazhimet policore në funksion të garantimit të një procesi zgjedhor të qetë dhe të sigurt në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Në takimin e dytë kanë marrë pjesë përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të organizatave e misioneve ndërkombëtare që mbështesin procesin zgjedhor. Aty janë prezantuar përgatitjet policore, masat e planifikuara të sigurisë dhe mekanizmat e koordinimit ndërinstitucional për ditën e votimit.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka theksuar rëndësinë e angazhimit profesional dhe të paanshëm të zyrtarëve policorë gjatë procesit zgjedhor.

“Deri më tani procesi zgjedhor është karakterizuar nga një situatë e qetë dhe pa incidente që do të cenonin sigurinë publike apo zhvillimin normal të aktiviteteve zgjedhore”, ka vlerësuar Hoxha.

Policia bëri të ditur se gjatë takimeve janë prezantuar edhe detyrat operative, përgjegjësitë institucionale dhe aktivitetet koordinuese që do të ndërmerren para, gjatë dhe pas votimit.

“Fokus i veçantë do t’i kushtohet ruajtjes së rendit publik, sigurisë së qendrave të votimit dhe garantimit të ushtrimit të lirë të së drejtës së votës nga qytetarët”, thuhet në komunikatë.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.