
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar një letër urimi nga Kancelari i Republikës Federale të Gjermanisë, Friedrich Merz, me rastin e rizgjedhjes së tij në postin e kryeministrit dhe formimit të mandatit të ri qeverisës.
Në letrën e tij, Kancelari Merz e ka uruar Kurtin për rizgjedhjen, duke theksuar se Kosova ka lënë pas një periudhë të gjatë pasigurie politike, e cila, sipas tij, i ka shkaktuar vendit kosto të larta.
“Ju përgëzoj përzemërsisht për rizgjedhjen Tuaj Kryeministër i Republikës së Kosovës. Kosova ka lënë pas muaj të tërë të pasigurisë politike, e cila i ka imponuar vendit kosto të larta”, shkroi Merz.
Ai ka vlerësuar se konfirmimi i zgjedhjes së Kurtit krijon mundësi për tejkalimin e ndasive partiake, zgjidhjen e çështjeve të hapura institucionale dhe avancimin e reformave.
Kancelari gjerman i ka përcjellë gjithashtu urimet për sukses në mandatin e ri qeverisës, duke nënvizuar mbështetjen e Gjermanisë për Kosovën.
“Gjermania qëndron fuqishëm përkrah Kosovës”, ka shkruar Merz, duke theksuar edhe miqësinë e veçantë ndërmjet Gjermanisë dhe popullit të Kosovës.