
Policia e Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit kanë njoftuar se vazhdojnë të jenë të angazhuara në mbrojtjen e rendit kushtetues, ligjshmërisë dhe integritetit të procesit zgjedhor në vend, duke bërë të ditur se deri më tani janë arrestuar tetë persona nën dyshime për vepra penale që lidhen me procesin zgjedhor.
Në një komunikatë të përbashkët për media, institucionet e zbatimit të ligjit kanë bërë të ditur se gjatë javëve të fundit kanë pranuar dhe trajtuar informacione të shumta që lidhen me dyshime për ndërhyrje të jashtme dhe aktivitete të kundërligjshme me qëllim ndikimin në vullnetin e lirë të qytetarëve gjatë zgjedhjeve.
Sipas njoftimit, më 19 maj 2026 janë arrestuar shtatë persona në komunën e Graçanicës, të dyshuar për vepra penale që ndërlidhen me cenimin e përcaktimit të lirë të votuesve dhe ushtrimin e presionit politik.
Ndërkaq, më 4 qershor 2026, po në Graçanicë, është arrestuar edhe një person tjetër nën dyshimin për marrje dhe dhënie ryshfeti në lidhje me votimin.
Policia e Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit kanë vlerësuar se këto raste dëshmojnë përpjekje aktive për ndërhyrje në zgjedhje, duke theksuar se institucionet mbeten të vendosura për të mbrojtur integritetin e procesit zgjedhor dhe për të luftuar çdo tentativë për ndikim të kundërligjshëm në vullnetin e votuesve.
Sipas komunikatës, institucionet relevante po vazhdojnë trajtimin e informacioneve të tjera dhe monitorimin e afërt të çdo aktiviteti që mund të cenojë integritetin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit 2026.
Në fund, Policia dhe Prokuroria u kanë bërë thirrje qytetarëve që të votojnë lirshëm, pa presion dhe pa frikë, si dhe të raportojnë çdo rast të dyshuar të kërcënimit, presionit apo ndërhyrjes së kundërligjshme në procesin zgjedhor.