
Kryetari i Kuvendit të RMV-së, Afrim Gashi, u bëri thirrje të gjithë deputetëve të tregojnë konstruktivitet dhe të punojnë së bashku për miratimin e Ligjit për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas prezantimit të raportit për dy vitet e punës së tij, Gashi komentoi paralajmërimet e opozitës për bllokimin e Ligjit, duke theksuar se debati dhe propozimet janë mënyra për të arritur një zgjidhje më cilësore.
“Mund të debatojmë, të dorëzojmë amendamente, të propozojmë zgjidhje dhe të bëjmë thirrje. Kemi caktuar debat publik, do t’i dëgjojmë ekspertët dhe juristët. Le ta përmirësojmë ligjin, e jo ta bllokojmë, sepse kjo nuk është mënyra e duhur. Nuk mund të mbetemi imunë ndaj zakoneve të së kaluarës. Do të na duhet edhe më shumë kohë për ta ndryshuar kulturën politike. I ftoj të gjithë deputetët të punojmë së bashku për një ligj më të mirë, e jo për bllokada. Megjithatë, deputetët, përfshirë edhe ata të opozitës, mund t’i përdorin të gjitha mjetet legjitime që kanë në dispozicion”, deklaroi Gashi.
Projektligji për përfaqësim adekuat dhe të drejtë, në lexim të parë, është vendosur në rendin e ditës të seancës së 104-t të Parlamentit, e cila do të mbahet të mërkurën, më 10 qershor. Javën e kaluar, Komisioni për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, me nëntë vota “për”, vlerësoi se projektligji është i pranueshëm dhe e dërgoi për procedurë të mëtejshme parlamentare. Anëtarët e komisionit mbështetën gjithashtu organizimin e një debati publik për këtë projektligj.
Më herët, Komiteti për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, me 11 vota “për” dhe dy “kundër”, vendosi që ligji të miratohet me të ashtuquajturin “Badenter i vogël”, përkatësisht me shumicën e deputetëve të pranishëm dhe shumicën e votave të deputetëve që u përkasin bashkësive joshumicë. Deputetët e Frontit Evropian dhe Lidhjes së Shqiptarëve vlerësuan se Ligji duhet të miratohet me “Badenter të madh”, që nënkupton shumicën e votave të të gjithë deputetëve që u përkasin bashkësive joshumicë, por propozimi i tyre nuk mori mbështetjen e shumicës.