
Vullnet Bugaqku nga KDI ka vlerësuar se dalja e ulët e qytetarëve në zgjedhje lidhet me zhgënjimin e tyre ndaj partive politike dhe situatës ekonomike në vend.
I ftuar në emisionin “Gazeta”, Bugaqku tha se shumë qytetarë janë të pakënaqur me qasjen dhe sjelljen e partive politike, veçanërisht të atyre që përfaqësohen në Kuvend.
Sipas tij, një tjetër faktor që po ndikon në disponimin e qytetarëve është gjendja ekonomike, duke përmendur inflacionin e lartë dhe vështirësitë me të cilat përballen qytetarët.
“Ka një zhgënjim të madh te qytetarët ndaj partive politike, ndërsa faktori ekonomik po ashtu ka ndikimin e vet. Inflacioni është i lartë dhe kjo pakënaqësi mund të shprehet edhe përmes mosdaljes në zgjedhje”, tha Bugaqku.
Ai theksoi se kjo mund të shihet si një formë proteste ndaj establishmentit politik, duke kujtuar se vendi tash e më shumë se 15 muaj nuk ka arritur të krijojë institucione stabile.
Sipas Bugaqkut, pamundësia për të ndërtuar institucione funksionale dhe të qëndrueshme ka ndikuar në rritjen e mosbesimit të qytetarëve ndaj klasës politike në përgjithësi.