
Duke folur në emisionin “Adresa” në Kanal10, kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, e ka ftuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, që të përballet me të në një debat televiziv, duke i lënë atij mundësinë të zgjedhë kohën dhe studion.
“Shumë arsye e kisha ftu te ti Albinin. Nëse vjen në studio, le ta zgjedh studion. Ja kisha propozu në studio, Arben, te ti. Nëse vjen në studio në debat me mu, me fol për çka do, kur don, në çfarëdo kohe, ballafaqohem me të publikisht”, tha Gjini.
Ai theksoi se nuk dëshiron që takimi të zhvillohet vetëm në zyrë, duke thënë se preferon një përballje publike ku mund të diskutohen hapur çështjet politike.
“Nuk takohem vetëm me të në zyrë, me dalë me rrejt si të kryhet takimi. Tanë i ka rrejt”, deklaroi Gjini.
Gjini tha se Aleanca i ka bërë të qarta qëndrimet e saj për çështje ekonomike dhe energjetike.
Ndër të tjera, ai përmendi pranimin e gazit amerikan, ndërtimin e kapaciteteve energjetike, ngritjen e pragut të TVSH-së, mbështetjen për bizneset familjare dhe heqjen e tatimit në pronë për bujqit.
“Na po dojme me pranu gazin amerikan, na po dojme me ndërtu kapacitete energjetike, na po dojme me ngrit pragun e TVSH-së, me leju bizneset familjare me fitu vet, jo me ju dhanë vitra, na po dojme me ju hek tatimi në pronë bujqve”, tha Gjini.
Sipas tij, këto janë disa nga çështjet për të cilat Aleanca ka shprehur qëndrimet e saj dhe për të cilat është e gatshme të diskutojë publikisht.
Për deklaratën e plotë të Ardian Gjinit dhe ftesën e tij për një përballje publike me Albin Kurtin, videon e plotë e gjeni më poshtë./Gazeta10