
Raporti: Arza Kasrati/Kanal10
Të hënën në Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare ka filluar vaksinimi kundër gripit sezonal. Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se ka furnizuar këto qendra me 85 mijë vaksina. Ndërsa, interesim i madh për t’u vaksinuar është parë në QKMF-në në Prishtinë. Qytetarët kanë thënë se me marrjen e vaksinës po mbrohen nga gripet sezonale, shkruan Kanal10.
Si çdo vit tjetër edhe këtë vit, Hilmi Hisenaj ka marrë rrugën për në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, për t’u vaksinuar.
Ai ka treguar se që 15 vjet bashkë me bashkëshorten e tij vaksinohen kundër gripit sezonal.
Hisenaj ka thënë se asnjëherë nuk kanë pasur ndonjë efekt negativ nga marrja e saj, derisa ka rekomanduar edhe të tjerët që ta bëjnë një gjë të tillë.
Me të kuptuar se Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në kryeqytet ka nisur vaksinimin, rrugën për në të morën edhe shumë qytetarë tjerë, kryesisht të moshave mbi 50 vjeçe.
Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Bujar Gashi, ka thënë se interesimi i qytetarëve për t’u vaksinuar ka qenë i madh.
Ai ka treguar se kjo qendër është furnizuar me 6 mijë e 500 vaksina.
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare në gjithë vendin janë furnizuar me 85 mijë vaksina kundër gripit sezonal.
“Ju informojmë se sasia e vaksinave kundër gripit sezonal është 85,000 vaksina dhe shpërndarja e tyre është bërë në të gjitha QKMF-të në nivel vendi. Gjithashtu, iu informojmë se ka filluar vaksinimi kundër gripit sezonal në të gjitha QKMF-të në nivel vendi. Rëndësia e vaksinimit kundër gripit sezonal qëndron në faktin se vaksinimi kundër gripit mbron vet personin dhe ndihmon në parandalimin e përhapjes se gripit”.
Për shkak të komplikimeve shëndetësore që shkaktohen nga gripi sezonal, qytetarët, sidomos ata mbi 65-vjeç, rekomandohen që të vaksinohen një herë në vit./Gazeta10