
Analisti politik Ilir Deda vlerëson se Kosovës i nevojitet një qeveri me bazë më të gjerë politike, duke paralajmëruar se një ekzekutiv i mbështetur vetëm nga 61 deputetë do ta ketë të vështirë të prodhojë rezultate dhe të sigurojë stabilitet afatgjatë.
Duke folur për procesin e formimit të institucioneve, Deda tha se Kosova ka kërkesa të vazhdueshme nga aleatët dhe partnerët ndërkombëtarë, ndaj sipas tij, vendi ka nevojë për një qeveri që gëzon mbështetje më të gjerë politike dhe parlamentare.
“Kosova ka kërkesa prej aleatëve, prej sponsorëve të pavarësisë tonë edhe prej mbrojtësve tanë dhe duhet patjetër të bëhet një qeveri më e gjerë, e cila mund t’u përgjigjet pozitivisht atyre kërkesave. Në qoftë se shkohet me një qeveri me 61 deputetë, nuk besoj se do të ketë rezultate pozitive dhe ajo qeveri vështirë se do ta ketë jetëgjatësinë katërvjeçare.”
Sipas Dedës, një qeveri me shumicë minimale parlamentare do të përballej me vështirësi në miratimin e politikave dhe në adresimin e sfidave kryesore të vendit. Ai shtoi se në rrethana të tilla mund të dobësohen edhe mundësitë e Kosovës për të përfituar nga mbështetja e partnerëve ndërkombëtarë.
Analisti politik theksoi se stabiliteti institucional dhe bashkëpunimi më i gjerë politik janë të domosdoshëm për t’iu përgjigjur sfidave të brendshme dhe kërkesave që vijnë nga aleatët e Kosovës.