Kontaktoni

info@gazeta10.com

Sport

Situatat kaotike përsëriten tek Irani, ankohet dhe kritikon trajneri i kombëtares

Gazeta10
21 June 2026 - 17:20

Fushata kaotike e Iranit në Kupën e Botës mori një tjetër kthesë, pasi lojtarët e saj mbetën duke pritur me valixhet gati, ndërsa përpjekja e FIFA-s për të zgjidhur problemet e tyre të udhëtimit dështoi.

Në një tjetër konferencë për shtyp të mbushur me tension, trajneri i kombëtares iraniane, Amir Ghalenoei, pretendoi gjithashtu se është injoruar nga 47 trajnerët e tjerë të Kupës së Botës, ndërsa kritikoi sërish trajtimin që sipas tij ka qenë “i padrejtë” ndaj Iranit gjatë turneut.

Kombëtarja iraniane është përballur me probleme të vazhdueshme me vizat dhe udhëtimet javët e fundit, me lojtarët e Ghalenoeit të detyruar të respektojnë rregulla të rrepta për hyrjet dhe daljet nga SHBA-ja para dy ndeshjeve të para të Grupit G.

Irani mbërriti në Los Angeles të shtunën në mesditë, më pak se 24 orë para ndeshjes kundër Belgjikës në “SoFi Stadium”. Belgjika kishte mbërritur një ditë më herët.

Ghalenoei zbuloi se FIFA kishte tentuar të organizonte një fluturim çarter më të hershëm për në Los Angeles të premten, por plani dështoi.

“Ai bëri maksimumin për të hequr pengesat, zoti Gianni Infantino u përpoq të minimizonte problemet me të cilat u përballëm”, tha trajneri të shtunën.

“Ata (FIFA) më telefonuan dhe më thanë: ‘A jeni gati nëse ju sigurojmë një fluturim në orën 18:00?’ E mirëprita këtë ide, por ne pritëm dhe pritëm. Pritëm deri në orën 19:00 dhe asgjë nuk ndodhi. Pastaj na thanë: ‘Na vjen keq, nuk arritëm ta realizojmë.’ Kjo ndikon në gjendjen tonë mendore, veçanërisht tek unë si trajner… E di që FIFA po bën më të mirën, i falënderoj për këtë, por kjo nuk do të thotë se kanë pasur sukses”, tha ai tutje.

Në vend të kësaj, Irani nuk u largua nga Tijuana deri pak para mesditës të së shtunës.

Ghalenoei u ankua gjithashtu për mungesën e mbështetjes nga ekipet e tjera pjesëmarrëse në turne.

“Nuk kam pasur asnjë reagim nga askush,” tha trajneri iranian.

“Ankesat tona kanë të bëjnë me mënyrën se si organizatorët e Kupës së Botës janë sjellë ndaj nesh. Nuk kam dëgjuar asgjë nga trajnerët e tjerë; ata janë të zënë me ekipet e tyre dhe ne nuk morëm asnjë mesazh… Unë do ta kisha bërë”, shtoi ai.

Ghalenoei shtoi: “Duket se trajneri i nderuar i Belgjikës, Rudi Garcia, ka thënë se ne jemi këtu për futboll dhe jo për politikë”.

Pasi përgjegjësi i Kupës së Botës në administratën e Donald Trumpit, Andrew Giuliani, la të kuptohej se mund të ketë lehtësime në kufizimet e udhëtimit për Iranin, Ghalenoei zbuloi se skuadra do të lejohet të udhëtojë dy ditë më herët për ndeshjen e fundit të grupit kundër Egjiptit javën e ardhshme.

“Do të doja që këtë ta kishin bërë edhe për dy ndeshjet e para,” tha ai.

“Na privuan nga mundësia për të mbërritur në kushtet optimale”, bëri me dije ai.

Rregulloret e FIFA-s për Kupën e Botës përcaktojnë se: “Çdo ekip duhet të udhëtojë nga kampi bazë drejt stadiumit të ndeshjes një ditë para ditës së ndeshjes (MD-1) dhe, në raste të jashtëzakonshme, në ditën MD-2, ndërsa duhet të kthehet në kampin bazë pas ndeshjes (në MD ose MD+1)”.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.