Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Vdekja e të riut në vendin e punës në Prizren, Azemi: Inspektorati s’po ia del të mbikëqyrë të gjitha rrezikshmëritë

Gazeta10
22 June 2026 - 14:37

Një i ri ka humbur jetën tragjikisht sot në vendin e punës në Prizren, pasi u aksidentua nga një pompë betoni gjatë kryerjes së detyrave të tij. Rasti ka ngritur sërish shqetësimet për sigurinë e punëtorëve në Kosovë, ndërsa Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, tha se bëhet fjalë për viktimën e 13-të në vendet e punës që nga fillimi i vitit. Ai gjithashtu akuzoi edhe Inspektoratin e Punës për mosbikëqyrje.

Azemi në një intervistë për Ekonomia Online tha se numri i rasteve fatale po vazhdon të rritet dhe se situata është alarmante.

“Fatkeqësisht edhe sot duhet ta fillojmë këtë, po themi kështu, me vdekjen e një të riu, i cili vdiq në komunën e Prizrenit. I riu i cili kishte vetëm moshën 24-vjeçare, i cili u aksidentua nga një pompë betoni për të cilën ka qenë duke punuar në vendin e tij të punës. Po e përsëris, është rasti i 13-të që nga 1 janari deri më sot”, deklaroi Azemi.

Sipas tij, përgjegjësia për këto raste bie si mbi kompanitë private, ashtu edhe mbi institucionet shtetërore që kanë për obligim mbikëqyrjen e kushteve të punës.

“Arsyet pse po ndodhin këto janë se në rend të parë pronarët e kompanive nuk janë në nivelin e duhur, nuk janë duke menaxhuar ose nuk janë duke respektuar ligjin mbi sigurinë dhe shëndetin në punë. Përpos pronarëve të kompanive, normal që institucionet shtetërore, në veçanti ministria, në veçanti Inspektorati i Punës nuk po mundet dhe nuk po mund t’ia dalë me mbikëqyrjen e të gjitha rrezikshmërive në vendet e tyre të punës, dhe ka ardhur deri tek kjo, çka fatkeqësisht viti 2025 dhe ky vit 2026, sipas të gjitha gjasave do të jetë viti më fatkeq sa i përket vdekjeve të punëtorëve në vendet e tyre të punës”, u shpreh ai.

Kreu i SPSPK-së theksoi se zgjidhja nuk kërkon masa të jashtëzakonshme, por respektim të ligjit dhe rritje të kujdesit nga të gjitha palët e përfshira.

“Absolutisht nuk duhet të ketë ndonjë farë filozofie ose mençurie. Kjo krejt duhet të bëhet me respektimin e ligjit mbi sigurinë dhe shëndetin në punë, një vigjilencë jashtëzakonisht shumë të madhe të pronarëve të kompanive, por pak a shumë edhe të punëtorëve. Ndoshta nuk do të ishte eliminuar në tërësi, sepse edhe në vendet tjera të botës vdesin punëtorët, por jo në një numër kaq të madh sikurse po ndodh tek ne”, tha Azemi.

Ai gjithashtu foli edhe për gjendjen sociale të familjes së viktimës, duke kërkuar mbështetje institucionale nga Qeveria e Kosovës.

“Faktikisht, domethënë mund ta themi atë që edhe tani kemi problem, ta zëmë se ky punëtor ndoshta nesër nuk do të ketë mjetet e mjaftueshme për ceremoninë e varrimit dhe të të pamit. Andaj ne edhe kësaj radhe po e përsërisim kërkesën që kësaj familje duhet t’i ndihmohet në mënyrë zyrtare nga Qeveria e Kosovës”, shtoi Azemi.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.