Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Prishtina bashkon artistët shqiptarë në koncertin “Kanga Jonë – Dashni nga Prishtina”

Gazeta10
24 June 2026 - 11:55

Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, ka pritur në takim organizatorët dhe artistët pjesëmarrës në gala koncertin “Kanga Jonë – Dashni nga Prishtina”, i cili organizohet sonte nën patronatin e Kryeqytetit në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës së Çlirimit të Prishtinës.

Me këtë rast, këngëtarëve të ardhur iu ndanë edhe mirënjohje në shenjë nderimi dhe vlerësimi për kontributin e tyre artistik.

Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, tha se artistët kanë një rol të rëndësishëm në zhvillimin dhe promovimin e jetës kulturore të Prishtinës.

“Është një kënaqësi e veçantë që jemi sot këtu me artistë të mrekullueshëm të trojeve shqiptare, të Kosovës dhe të Shqipërisë. Prishtina është qyteti që gjithmonë na bën bashkë dhe gjithmonë mendon përtej. Është qyteti ku secili prej nesh punon për ta zhvilluar dhe për ta transformuar vendin tonë.

Në këtë rrugëtim, artistët kanë një rol jetik. Këtu dua të falënderoj nga zemra posaçërisht Jehonën, si dhe të gjithë artistët që janë bërë bashkë me ne sot këtu, të cilët me dijen dhe përvojën e tyre u bashkuan për të organizuar diçka të mrekullueshme dhe shumë të bukur për kryeqytetin. Për këtë, jemi sinqerisht mirënjohës”, deklaroi Rama.

“Si kryeqytet, jemi të lumtur që sonte po organizojmë këtë koncert nën patronazhin tonë — pra, nën patronazhin e kryeqytetit. Ju urojmë një mirëseardhje të veçantë artistëve që kanë ardhur posaçërisht nga Shqipëria. Faleminderit shumë që keni ardhur dhe që jeni këtu!

Po ashtu, jemi bërë bashkë për t’i dhënë edhe një shënim datës së çlirimit të kryeqytetit. Të gjitha këto koncerte dhe organizime të kulturës janë pjesë e shënimit të Ditës së Çlirimit të Prishtinës, ditës më të rëndësishme të kryeqytetit tonë. Ne jemi këtu për t’i përkrahur dhe për t’ua zgjatur dorën secilit që dëshiron ta zhvillojë, ta krijojë dhe ta ngrejë vlerën e kryeqytetit. Kështu ka qenë dhe kështu do të vazhdojë të jetë gjithmonë, sepse qytetarët e kryeqytetit me të vërtetë e meritojnë këtë zhvillim, këtë pozitivitet dhe art me shumë dashuri“, tha Rama.

Në emër të organizatorëve, këngëtarja Jehona Sopi falënderoi institucionet dhe të gjithë kontribuuesit për mbështetjen në realizimin e këtij projekti të madh kulturor.

Jemi munduar maksimalisht të bëjmë diçka të bukur. Sigurisht, pa përkrahjen e juaj nuk e kishim bërë. Edhe pa përkrahjen e bizneseve, sepse është një produksion shumë i madh edhe një produksion që ka kosto të jashtëzakonshme. Po me një vullnet të madh, unë të gjithë i quaj në këtë iniciativë kontribues: si qytetarë, si njerëzit që angazhohen, si ata që suportojnë, janë të gjithë kontribues për vendin. Kështu që ne të gjithë kemi shumë dashni me dhënë për Prishtinën, edhe sigurisht që do të japim bashkërisht. Unë jam shumë e lumtur që interesimi për sonte, që të jenë të pranishëm, është jashtëzakonisht i madh, po nuk kemi ulëse për të gjithë. Kështu që i ftojmë qytetarët që nuk është keq edhe në këmbë me ndejt. Edhe me vallëzu patjetër! Janë diku 2000 ulëse, po nuk kemi më shumë. Kështu që edhe në këmbë, meqë ky koncert do të jetë fantastik“, tha ajo.

Në gala koncertin “Kanga Jonë – Dashni nga Prishtina” do të performojnë artistët: Adhurim Grezda, Alban Nimani, Alma Bektashi, Aurela Gaçe, Dren Abazi, Elina Duni, Jehona Sopi, Sihana Badivuku, Edon Ramadani, Drini Zeqo, Vesa Luma dhe Kori Okarina.

 

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.