Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Mungesa e përkthimit sfidë në procese gjyqësore

Gazeta10
24 June 2026 - 16:06

Mungesa e përkthimit në proceset gjyqësore vazhdon të mbetet një ndër pengesat më të mëdha për realizimin e plotë të të drejtave gjuhësore në Kosovë.

Aktualitetin e këtij problemi e dëshmon edhe raporti i vitit 2025-të  i Institutit për Drejtësi në Kosovë, “Efektiviteti Gjyqësor në Praktikë dhe të Drejtat Gjuhësore në Sistemin Gjyqësor”, i cili nxjerr në pah sfidat që lidhen me numrin e pamjaftueshëm të përkthyesve, si dhe me cilësinë e përkthimeve në procedurat gjyqësore.

Kjo problematikë sipas avokatit Zahir Hamza i ka disa efekte negative që ndikojnë në gjyqësor.

“Kjo çështje bëhet edhe më e ndjeshme në rastet që lidhen me krimet e luftës, ku të akuzuarit apo dëshmitarët janë të përkatësive të ndryshme etnike dhe gjuhësore. Nëse nuk sigurohet përkthim cilësor dhe i vazhdueshëm gjatë gjithë procedurës, rrezikohet jo vetëm e drejta e mbrojtjes së palëve, por edhe besueshmëria e vetë procesit gjyqësor”, pohon Hamza.

Gjithashtu avokati Ardian Bajraktari shton se mungesa e përkthimit është shkaktar i zgjatjes së proceseve gjyqësore pa nevojë.

“E drejta e palëve për t’u pajisur me dokumente si dhe për t’i ofruar përkthim në gjuhën që e kuptojnë është e drejtë dhe garanci themelore e një procesi të drejtë gjyqësor. Vonesat në përgatitjen dhe sigurimin e dokumenteve të përkthyera mund të ndikojnë drejtpërdrejt në kohëzgjatjen e procedurave gjyqësore dhe në ushtrimin efektiv të të drejtave të palëve në procedurë”, tha Bajraktari.

Siç thekson ai, ka raste kur seancat shtyhen ose nuk mbahen fare për shkak të mungesës së përkthyesve apo vonesave në përkthimin e dokumenteve të lëndës. Si pasojë, procedurat zvarriten, ndërsa efikasiteti i gjykatave në trajtimin dhe përfundimin e çështjeve dëmtohet.

E avokati Hamza potencon se është e domosdoshme që këto probleme të zgjidhen sa më parë.

“Istitucionet e drejtësisë duhet t’i kushtojnë rëndësi të veçantë sigurimit të përkthyesve të kualifikuar dhe resurseve të nevojshme, veçanërisht në rastet e ndjeshme të krimeve të luftës, ku transparenca, drejtësia dhe respektimi i të drejtave procedurale janë thelbësore për vendosjen e drejtësisë dhe forcimin e besimit të qytetarëve në sistemin gjyqësor”, deklaroi ai.

 

Në raportin që publikoi IKD u monitoruan gjithsej 226 seanca gjyqësore gjatë një periudhe shtatëmujore, duke mundësuar identifikimin e praktikave procedurale të ndjekura në këto raste dhe sfidave që ndikojnë në efikasitetin e procedurave gjyqësore.

Aty theksohet edhe mungesa e avokatëve mbrojtës si dhe mungesa e palëve të dëmtuara.

Autorja e raportit Magdalena Dimitrijević vë në pah një rast kur një avokat paraqiti një deklaratë nga një dëshmitar që nuk ekzistonte në gjuhën shqipe por vetëm në serbisht. Kështu gjykata konstatoi mospërputhjen dhe sqaroi se pretendimi nuk ishte pjesë e deklaratës origjinale.

Gjetjet e monitorimit tregojnë se përkthimi në përgjithësi nuk ka penguar zhvillimin e gjykimeve dhe se gjykatat kanë siguruar përkthim për palët që nuk e kuptojnë gjuhën e procedurës. Megjithatë, janë vërejtur mangësi në cilësinë dhe mënyrën e ofrimit të përkthimit, pasi në disa raste ai nuk ka qenë mjaftueshëm i qartë ose nuk janë përdorur pajisjet teknike në dispozicion. Teksa që nga shkurti 2025, Gjykata Themelore në Prishtinë ka filluar të përdorë një sistem të ri ku përkthimi simultan realizohet nga dhoma të veçanta me pajisje teknike.

(Ky tekst është realizuar nga bashkautorët: Dielleza Berisha dhe Ema Stanojeviq, në kuadër të një projekti të përbashkët mes AGK-së dhe UNMIK-ut, i cili synon promovimin e bashkëjetesës ndërmjet komuniteteve)

 

 

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.