Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Elmi Reçica i reagon Ilir Feratit pas deklarimit në ‘Politiko’: Mos ma përdor emrin tim!

Gazeta10
25 June 2026 - 10:54

Elmi Reçica i ka reaguar kryetarit të Istogut dhe të degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në atë komunë, Ilir Feratit, i cili tha mbrëmë se kryetari i Prishtinës, Përparim Rama kishte publikuar fotografi me deputetin e zgjedhur të Partisë Demokratike të Kosovës në ditën e zgjedhjeve.

Reçica i quajti “të pavërteta dhe shpifëse” deklaratat e Feratit mbrëmë në Kanal 10.

“Me keqardhje kam përcjellë deklaratat e pavërteta dhe shpifëse të bëra nga Ilir Ferati në emisionin Politiko në Kanal 10, ku ka pretenduar se kryetari i Prishtinës, Perparim Rama, në ditën e zgjedhjeve ka publikuar fotografi me mua. Ky pretendim është tërësisht i rremë dhe nuk mbështetet në asnjë fakt”, shkroi ai në një postim në Facebook.

Reçica tha se ai dhe PDK-ja janë “të interesuar që LDK-ja të jetë një parti stabile dhe e qëndrueshme, sepse i duhet vendit dhe demokracisë sonë”.

“Zhvillimet e brendshme në LDK janë çështje ekskluzive e tyre dhe nuk lejoj në asnjë mënyrë që emri im të përdoret për shpifje, manipulime apo sulme politike ndaj kujtdo brenda asaj partie”, shtoi ai.

Ai tha se e vërteta “është shumë e thjeshtë”.

“Me Perparim Ramën jam takuar më 28 maj, në ceremoninë përkujtimore e organizuar nën patronatin e Kryetarit të Kryeqytetit me rastin e ditëlindjes dhe rënies heroike të Fehmi Lladrovci dhe Xhevë Krasniqi-Lladrovci. Në atë ngjarje, të organizuar me përkushtim të veçantë, Perparim Rama mbajti një fjalim ekciklopedik kushtuar veprës dhe sakrificës së heronjve tanë. Fotografia e publikuar i përket pikërisht atij organizimi dhe jo ditës së zgjedhjeve, siç është pretenduar në mënyrë të pavërtetë nga Ilir Ferati”, shkroi ai.

Reçica i bëri thirrje Feratit që “ta demantojë këtë shpifje”.

“I bëj thirrje Ilir Feratit që ta demantojë këtë shpifje dhe këtë të pavërtetë, si dhe të mos e keqpërdorë emrin tim në betejat e tyre të brendshme politike”, shkroi ai.

Ai bashkëngjiti një video të asaj dite, e cila, siç tha, “dëshmon qartë të vërtetën dhe i hedh poshtë pretendimet e bëra nga Ilir Ferati”.

Ferati ka thënë mbrëmë se Përparaim Rama “nuk është i LDK-së”, duke përmendur veprime të kryetarit të Prishtinës, që sipas tij, nuk i kanë shërbyer partisë.

“Çka mua më duhet të them është që nuk i shërbehet LDK-së nëse ti të dielën në mëngjes ti e publikon një fotografi me Elmi Reçicën. Ditën e zgjedhjeve. Nuk është shërbim ndaj LDK-së ky, as nuk është thirrje për votuesin e LDK-së – është e kundërta”, ka thënë ai.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.