Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Përfitues të paidentifikuar dhe pagesa të vonuara – Auditori evidenton mangësi në Ministrinë e Bujqësisë

Gazeta10
25 June 2026 - 11:11

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka identifikuar një sërë mangësish dhe shkeljesh në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural gjatë auditimit të pajtueshmërisë për vitin 2025.

Sipas raportit të auditimit, ministria nuk kishte hartuar dhe miratuar Programin Vjetor për Grante për vitin 2025, ndonëse kjo kërkohet me legjislacionin në fuqi.

Auditorët vlerësojnë se mungesa e programit rrit rrezikun e shpërndarjes joefikase dhe jotransparente të fondeve publike, si dhe krijon pasiguri për fermerët dhe përfituesit potencialë të mbështetjes financiare, raporton Indeksonline..

“Mungesa e programit vjetor për grante rrit rrezikun e shpërndarjes joefikase dhe jo transparente të fondeve publike, ndikon në përkrahjen e fermerëve dhe zhvillimin e sektorit bujqësor, krijon pasiguri për përfituesit potencialë dhe vonesa në implementimin e masave mbështetëse.  Po ashtu, cenon përputhshmërinë me kërkesat ligjore dhe dobëson llogaridhënien institucionale”, thuhet në Raportin e Auditimit.

Raporti evidenton gjithashtu mangësi në publikimin e listave të përfituesve të pagesave direkte dhe granteve nga Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB). Sipas gjetjeve, nuk janë publikuar disa lista të përfituesve, ndërsa në lista të tjera mungonin emrat e disa përfituesve, duke cenuar transparencën dhe llogaridhënien në shpenzimin e mjeteve buxhetore.

“Ministria çdo vit publikon listën e përfituesve që përfshin, masën, shumën dhe informatat tjera relevante për përfituesit” me qëllim të sigurimit të transparencës dhe informimit publik. Gjatë auditimit kemi evidentuar mangësi në publikimin e listave të përfituesve si në vijim: Nuk ishin publikuar listat e përfituesve juridikë për pagesat direkte për vitin 2025 si dhe lista e përfituesve të granteve të Programit për Zhvillim Rural (PZhR) 2024 për Masën 3.5 – Prodhimi i verërave. Listat tjera të përfituesve të granteve të PZHR-së të vitit 2024 ishin publikuar në mënyrë jo të plotë, pasi mungonin disa përfitues në listat e publikuara, evidentuar nga tetë raste ku përfituesit nuk ishin përfshirë në listat e publikuara. Po ashtu, sa i përket listave që nuk ishin publikuar fare, kjo u evidentua nga 21 raste apo pagesa të ekzekutuara”, thuhet në raport.

Në raport po ashtu thuhet se mosspublikimi dhe publikimi jo i plotë i listave të përfituesve ul nivelin e transparencës dhe besueshmërisë së publikut, kufizon qasjen e publikut në informata lidhur me shpenzimin e mjeteve buxhetore, si dhe cenon përputhshmërinë me kërkesat ligjore dhe parimet e llogaridhënies.

“Ministri në kordinim me Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB) duhet të sigurojë publikimin me kohë, të plotë dhe të azhurnuar të listave të përfituesve, për pagesat direkte dhe grantet, duke vendosur procedura të qarta, kontrolle efektive dhe mekanizma monitorues për garantimin e transparencës, llogaridhënies dhe publikimit në kohë reale të të dhënave në ueb-faqen zyrtare të AZHB-së”, thuhet në raport.

Auditori ka gjetur dhe vonesa në realizimin e pagesave për përfituesit e granteve nga Programi i Zhvillimit Rural, pavarësisht se vendimet për mbështetje financiare parashohin që shumat e aprovuara të transferohen në llogaritë e përfituesve brenda 30 ditëve.

Sipas raportit, në gjashtë raste të identifikuara, pagesat janë ekzekutuar me vonesa që variojnë nga 2 deri në 84 ditë pas afatit të përcaktuar.

Rasti me vonesën më të madhe është regjistruar në kuadër të Masës 1 – Investimet në asetet fizike të ekonomive bujqësore, sektori 1.5 (Prodhimi i mishit/rritja e viçit). Vendimi ishte lëshuar më 6 nëntor 2024, ndërsa pagesa prej 31,552 eurosh është realizuar më 28 shkurt 2025, me një vonesë prej 84 ditësh.

Po ashtu, në kuadër të Masës 7 – Diversifikimi i fermave dhe zhvillimi i bizneseve, sektori 7.5 (Aktivitetet jo-bujqësore në zonat rurale), një pagesë prej 35,000 eurosh është realizuar më 15 maj 2025, 63 ditë pas afatit të paraparë me vendimin e datës 13 shkurt 2025.

Auditori ka evidentuar edhe raste të tjera me vonesa më të vogla. Një grant prej 142,717 eurosh në kuadër të Masës 3 për përpunimin e pemëve dhe perimeve është paguar me 15 ditë vonesë, ndërsa pagesat prej 99,475 euro, 98,810 euro dhe 99,681 euro janë realizuar me vonesa prej 4, 3 dhe 2 ditësh respektivisht.

Sipas gjetjeve të auditorit, vonesat në ekzekutimin e pagesave pas afatit të përcaktuar janë rezultat i mungesës së një sistemi efektiv të kontrollit në menaxhimin e pagesave, duke ndikuar në respektimin e afateve të parapara për përfituesit e granteve.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.