Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Nagavci: Absurde që Haradinaj të kërkojë postin e Presidentit pas fjalëve të pamatura në Kuvend

Gazeta10
25 June 2026 - 14:36

Deputetja e zgjedhur e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë se për të personalisht është “pak absurde” që Ramush Haradinaj i AAK’së të kërkojë mbështetje për postin e Presidentit meqë  ai “ka folur fjalë të pamatura” në Kuvend.

“​Po tani siç thashë, nuk do të kisha dashur të flisja me emra të veçantë. Është për mua personalisht, është pak absurde që një person, cili do qoftë ai – i cili ka folur fjalë të pamatura, gjëra të cilat e dinë edhe vetë që nuk qëndrojnë – në Kuvend, tashmë të kërkojnë që të marrin mbështetjen”.

Nagavci më pas tha se beson se Kosova ka kandidatë konsensualë për këtë pozitë.

“Kjo tregon shumë edhe për atë që ka ndodhur para apo edhe tani, kështu që unë besoj e përsëris që të gjendet, të gjenden disa emra konsensualë sepse besoj që Kosova ka mjaftueshëm njerëz me integritet edhe personal edhe profesional, të cilët do të bënin në mënyrë shumë të mirë presidentin apo presidenten”.

Më pas ajo shtoi se nuk po flet në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, “por atë që mund të them është se është kohë që të mendojmë për institucionet, të mendojmë se si dalim nga kjo krizë politikë edhe të lëmë anash vetëm ambiciet edhe interesat personale”, tha Nagavci.

Së fundmi,  Haradinaj ka thënë se do ta shqyrtonte çështjen e kandidaturës për president, nëse një propozim i tillë vije nga partitë opozitare të legjislaturës së fundit.

“Opozita mundet pra, me hy e me qenë faktor në marrjen e fatit të vendit në dorë, duke pasur një kontratë mes vete edhe një kandidaturë për president. Nëse dikush nga opozita e merr mbështetjen e opozitës, gjithsesi që do ta mbështesja, nëse do të isha i propozuar (për president) do ta shqyrtoja. Pra, nuk jam kandidat, nuk kam kushte, nuk kam kërkesë për askënd. Ne nuk bëhemi pjesë e qeverisjes ose vazhdimit të qeverisjes Kurti, se e kemi shpjeguar disa herë sa e dëmshme edhe sa humbje është për Kosovën”, ka thënë dje Haradinaj.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.