
Labinot Gjini nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka vlerësuar se rezultati i zgjedhjeve dëshmoi mbështetjen e qytetarëve për partinë e tij, pavarësisht pritjeve që, sipas tij, AAK-ja të mbetej jashtë Kuvendit.
Ai akuzoi kryeministrin Albin Kurti se i kishte shkaktuar vendit zgjedhje të parakohshme dhe pretendoi se gjatë fushatës ishin përdorur mjete publike për ndikim në votë.
“Qytetari në këto zgjedhje, kur të gjithë kanë pritur fundin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kur zotëriu Albin Kurti i dha 200 milionë euro për blerje votash, prapë qytetari vendosi që Aleancën ta çojë në Kuvend. Këto zgjedhje i ka dashur Albin Kurti dhe njëra nga shpresat e tij më të mëdha ishte ta shuante njërën nga partitë opozitare”, tha Gjini.
Sipas tij, rezultati zgjedhor tregoi se qytetarët nuk i mbështetën, siç u shpreh ai, përpjekjet për ta dobësuar opozitën dhe se AAK-ja arriti të sigurojë përfaqësim në Kuvend./Gazeta10